Marotta tregon pse dështoi shkëmbimi Politano-Spinnazzola, flet edhe për ardhjen e mundshme të Eriksen

Në prag të ndeshjes mes Lecces dhe Interit, Administratori i Deleguar i zikaltërve, Giuseppe Marotta doli para gazetarëve ku më shumë sesa për takimin, foli për merkaton, pasi klubi milanez është vërtetë aktiv gjatë këtyre ditëve.

Marotta u mundua të sqarojë arsyet e dështimit të shkëmbimit mes Politanos dhe Spinnazzolës, ndërsa komentoi edhe takimin me menaxherin e mesfushorit danez Christian Eriksen, që duket shumë pranë Interit.

Pse dështoi shkëmbimi Politano-Spinnazzola?
Kam respekt maksimal për Spinnazzolën, që e njoh që te Juventusi, por para se të mbyllet një marrëveshje, duhet të bëhet një vlerësim teknik, ekonomik dhe fizik. Në rastin konkret bëhej fjalë për një operacion prej rreth 55 milionë eurosh dhe nuk mund të mbyllnim njërin sy. Pavarësisht fotos me shallin e Romës, Politano mbetet lojtar i yni dhe do ta administrojmë me qetësi situatën. I kemi shpjeguar qartë çfarë ndodhi dhe do të bëjmë më të mirën edhe për të.

Si po ecin negociatat për Eriksen?
Eriksen është lojtar i Tottenhamit dhe takimi im me menaxherin është brenda normës së rregullores, pasi lojtari shkon në skadencë në qershor. Nëse do të vijë në janar, në qershor, apo fare, mbetet të shohim. Jemi në merkato dhe ajo që nuk ndodh sot, mund të realizohet nesër.

A është Moses një alternativë për krahun? Çfarë bëhet me Giroud?
Po, është një kandidaturë, por po punojmë mbi disa pista. Kemi takuar edhe përfaqësuesit e Giroud, por të shohim, pasi disa operacione janë të lidhur me njëri-tjetrin.