Serie A

Marotta pranon gabimin e bërë te Juve me CR7: Nuk solli rezultatet e dëshiruara

“Blerja e Cristiano Ronaldos nga Juve nuk solli rezultatet e dëshiruara. Le të themi se kontributi i tij nuk përputhej me pritshmëritë shumë të mëdha që kishte”. Kështu u shpreh Beppe Marotta, drejtori aktual i Interit dhe ish-menaxher i përgjithshëm i Juventusit për operacionin e Cristiano Ronaldos te “Zonja e Vjetër”.

Kryemenaxheri zikaltër foli për ekipin e tij aktual, por u fokusua edhe në të tjera tema të së shkuarës, si dhe mbi situatën e futbollit italian. Një nga këto ishte blerja e pabesueshme nga skuadra e Juventusit e një prej futbollistëve më të fortë të të gjitha kohërave, i cili nuk kishte dhënë kontributin e pritur.

Më 10 korrik 2018, kampioni portugez mbërriti në Torino për të veshur fanellën e Juventusit, pas deklaratave të lamtumirës nga Real Madridi, pas fitores së Champions League, që i tronditën të gjithë. Të gjithë sytë ishin te CR7, sepse bardhezinjtë mendonin se ai ishte njeriu që do ta sillte “kupën me veshë të mëdhenj” në Torino. Nuk ndodhi kështu.

Ronaldo kishte ardhur te Juve dhe ishte përcaktuar si “blerja e shekullit” me synimin për t’u shkëputur nga tradita negative e Juventusit në Champions League (dy finale të humbura në katër vitet e mëparshme). Në fakt, bilanci i “Zonjës së Vjetër” u përkeqësua dhe pas tri sezonesh mbërriti ndarja me portugezin.

Përfundimi i marrëdhënies nuk ishte i thjeshtë, solli pasoja të mëvonshme, me Cristiano Ronaldon që e çoi Juventusin në gjykatë për të rikuperuar pjesën e pagës së tij të pezulluar në fillim të pandemisë së koronavirusit: rreth 19 milionë euro neto. Çështja është ende e hapur.

Beppe Marotta u largua nga Juventusi pas 8 sezonesh, edhe për shkak të disa mosmarrëveshjeve me kolegët e tij. Ndonëse këto thashetheme shpeshherë janë mohuar, “mollë sherri” duket se ka qenë edhe zgjedhja për të marrë apo jo Cristiano Ronaldon.

Menaxheri lombard e kishte dekurajuar Andrea Agnelli në blerjen e pesë herë fituesit të “Topit të Artë”, por ish-presidenti i Juventusit kishte ëndërruar për “grushtin e shtetit” 90 milionë eurosh prej disa kohësh dhe vazhdoi rrugën e tij.