Marotta konfirmon se Gabigol nuk bën pjesë në planet e Interit

Administratori i Deleguar për Çështjet Sportive te Interi, Giuseppe Marotta komentoi momentin e mirë që po kalon sulmuesi brazilian Gabigol, që me dy golëshinë e tij i dha Kupën e Libertadores skuadrës braziliane të Flamengos.

“Na vjen mirë që ka mbyllur një sezon fantastik, duke shënuar shumë gola dhe mbi të gjitha gola me peshë. Është e vështirë që të bëhet pjesë e projektit tonë, por gjithsesi në fund të dhjetorit do t’i bashkohet skuadrës dhe më pas do të dëgjojmë të gjitha ofertat që do vijnë në drejtim të tij”, deklaroi Marotta.

Gabigol është në pronësi të Interit, që prej vitit 2016, por nuk arriti të bindë zikaltërit dhe prej dy sezonesh luan i huazuar në kampionatin brazilian, ndërsa tani klube të shumta janë vënë në kërkim të tij.

Sulmuesi brazilian vështirë se do të gjejë vend në skuadrën e Contes, pasi cilësitë e tij të lojës janë thuajse të njëjta me ato të Laurato Martinez dhe Alexis Sanchez, ndaj zikaltërit presin të arkëtojnë një shifër prej 30-40 milionë eurosh nga kartoni i tij.