Mario Balotelli ia fal Chiellinit: Thjesht shqyeji faqet e librit ku flet keq për mua

Mario Balotelli e ka falur Giorgio Chiellinin për kritikat e ashpra, pasi qendërmbrojtës i Juventusit ia dërgoi atij një kopje të nënshkruar të librit të vet të sapobotuar.

Në një bisedë drejtpërdrejt në një emision televiziv, sulmuesi i Brescias i thotë me shaka Chiellinit që t’i shqyejë faqet që përmbajnë kritika ndaj tij.

Balotelli dhe Chiellini, dikur shokë skuadre në ekipin kombëtar të Italisë, u fjalosen në publik, kur Chiellini e publikoi librin e vet autobiografik dhe dha një intervistë në të cilën e quajti Balotellin person negativ, i cili s’i ndihmoi skuadrës gjatë Kupës së Konfederatave.

Ai po ashtu e kritikoi një ish-bashkëlojtar tjetër, Felipe Melon, të cilin e vlerësoi si më të keqin nga më të këqijtë, një mollë e kalbur.

Por kapiteni i Juventusit i ka ndrequr marrëdhëniet me Balotellin falë një bashkëbisedimi të mundësuar nga emisioni televiziv “Le Iene”.

Në ekran së pari u shfaq një fanellë me nënshkrimin e Balotellit, me përkushtimin: “Edhe sikur të më therje me thikë pas shpinës, unë prapë do të dua, or burrë!” ekipi televiziv pastaj i lidhi dyshen në linjë direkte.

“Kjo është hera e parë në jetën time që ti bëre rrëmujë, por unë jo!”, tha Balotelli me shaka në fillim.

“Të pata zili! Sepse në jetë duhet të bësh gabime për t’u përmirësuar”, iu përgjigj Chiellini.

“Unë jam i përsosur, atëherë. Por, kurrë nuk ka pasur luftë mes nesh, njerëz! Ju kam thënë tërë kohën”, shtoi SuperMario.

Kapiteni i Juventusit e pranoi se kishte mosmarrëveshje, por tha se kishte menduar ta njoftonte Balotellin për përmbajtjen e librit të tij dhe se nëse do t’i linte jashtë librit komentet negative, ai do të duhej fals dhe hipokrit.

“Marr përgjegjësi të plotë”, tha Chiellini.

Chiellini sugjeroi se të gjithë mësojnë me kalimin e kohës dhe se ai duhet ta shkruajë edhe një faqe tjetër në libër për t’u sqaruar, por do t’ia dërgojë një kopje sulmuesit të Brescias me përkushtim të veçantë: “Për Marion, unë kam mësuar shumë duke bërë gabime dhe do të vazhdoj të bëj kështu çdo ditë. T’i uroj të gjitha të mirat dhe shpresoj të të shoh në fushë së shpejti”.

Balo iu përgjigj duke i kërkuar me shaka që së pari t’i shqyejë faqet ku flet për të. I pyetur nëse duhet ta shkruajë edhe ai një libër, Balotelli tha: “Do të dilte shumë i gjatë”.