Marcelo tregon prapaskenat e largimit të Crstiano Ronaldos nga Real Madridi

Marcelo ka rrëfyer në një intervistë për “Esporte Interactivo” se e mësoi vendimin për largim të Cristiano Ronaldos nga Real Madridi në një seancë stërvitore, para finales së Ligës së Kampionëve, që u luajt në Kiev dhe që u fitua nga “Los Blancos” kundër Liverpoolit.

Në vijimësi të intervistës, Marcelo ka pranuar se CR7 ia kishte treguar vendimin e marrë para asaj dite të madhe. “Për dreq, ne ishim duke u stërvitur për finalen e Kievit dhe ai më tha: Po largohem”, – shpjegon Marcelo.

Gazetarja, që si duket e kishte pyetur për këtë gjë edhe para finales së Kievit, ndërhyri në intervistë: “Jua ka thënë këtë para finales? Atëherë, ju më paskeni gënjyer…” Dhe Marcelo shtoi: “Po, më duhej të të gënjeja”.

Me sa duket, braziliani, një nga miqtë më të mirë të Ronaldos te Real Madridi, e mbrojti me fanatizëm sekretin e sulmuesit, i cili e zyrtarizoi lamtumirën e tij nga “Los Blancos” në korrik të vitit të kaluar.

Përveç kësaj, Marcelo u pyet për interesin e supozuar të Juventusit për të nënshkruar më të, gjëje së cilës braziliani iu përgjigj duke thënë se është një klub i madh, por se ka një kontratë me Real Madridin.