Marcelo, tifozëve për humbjen nga Girona: “I gjithë faji është i imi, vazhdojmë”

Marcelo është duke përjetuar sezonin më të komplikuar që nga koha kur është transferuar në Real Madrid.

Me ardhjen e Santiago Solarit, Marcelo ka nisur edhe të humbasë vendin e titullarit, para brazilianit shpesh po preferohet lojtari i akademisë, Sergio Reguilon.

Marcelo mungoi në derbin ndaj Atleticos dhe ndaj Ajaxit në Champions League, dhe ishte më në fund titullar kundër Gironës, ndeshje që përfundoi keq për Madridin, por edhe për të.

30-vjecari është duke u kritikuar sërish, pas humbjes së Los Blancos në “Santiago Bernabeu” nga Girona.

Përveç mediave, që janë duke publikuar dobësitë e Marcelos te golat e kundërshtarëve, tani 30-vjeçari duket se i ka kundër edhe një pjesë dërrmuese të tifozëve.

Në formë ironie apo në të vërtetë, kjo gjë nuk dihet, por Marcelo mori përgjegjësi të plotë, për humbjen 1-2 nga Girona, përmes një përgjigje në “Instagram”.

Gjithçka erdhi si rezultat i publikimit të disa statistikave negative lidhur me ndikimin e brazilianit në ekip, në profilin e dedikuar fansave të klubit të Real Madrid, që kërkojnë më shumë meritokraci në përzgjedhjen e futbollistëve të formacionit titullar.

“I gjithë faji është i imi, vazhdojmë”, ka replikuar Marcelo ndaj fakteve të publikuara në profilin e dedikuar tifozëve të Real Madrid.

Tifozët kishin publikuar disa fakte negative për Marcelon, me të cilin në fushë, kanë ardhur pothuajse të gjitha dështimet e shumta të Los Blancos deri më tani këtë edicion.

Humbja shokuese në Bernabeu, e lë Madridin 9 pikë prapa Barcelonës, duke u shuar gjasat për titull.