Sipas Diego Armando Maradonës, trajneri i Manchester Unitedit, Jose Mourinho është trajner më i mirë se rivali i tij te City, Pep Guardiola.
Manchester City i Guardiolas pati një sezon të mrekullueshëm vitin e kaluar duke u shpallur kampion në Premier League me 20 pikë diferencë nga ndjekësi i parë United, ndërsa edhe ky edicion ka filluar shkëlqyeshëm për trajnerin katalanas i cili nuk di për humbje në elitën e futbollit anglez, ndryshe nga Mourinho që po vuan të gjejë formën më të mirë teksa rradhitet në vendin e 8-të me 12 pikë më pak se “Citizens” që janë kryesues.
Megjithatë fituesi i Kupës së Botës në vitin 1986 me Argjentinën, Diego Maradona beson se Mourinho është trajneri më i mirë në botë.
“Për mua ai është më i miri. Do t’i jepja meritat Guardiolas që e vazhdoi atë që e nisi Johan Crujff. E kam thënë shumë herë se stili Tiki Taka nuk është zbuluar nga ai por nga Crujff. Për momentin Guardiola mund të zgjedh secilin futbollistë që dëshiron, në këtë mënyrë edhe Tiki Taka bëhet më e thjeshtë”, deklaroi Maradona për gazetën spanjolle “Marca”.
Maradona tani është trajner te skuadra e kategorisë së dytë të futbollit në Meksikë, Dorados ndërsa shtoi se ende ka gjëra për të përmirësuar në këtë drejtim dhe sipas tij nga Mourinho do të mund të mësonte shumë gjëra.







