Maradona heq dorë nga shiriti i kapitenit dhe sfidon Bobanin: E pres në ring

Diego Armando Maradona është kthyer të sulmojë FIFA-n. Sipas tij, edhe pas lamtumirës së Blatter nuk ka ndryshuar asgjë. Infantino premtoi një “FIFA të re”, por Maradona nuk mendon se ky premtim është mbajtur.

Deri në atë pikë ka hequr dorë edhe nga shirit i kapitenit, atë që duhej ta mbante gjatë ndeshjes së legjendave të FIFA-s. Duke parë se nuk ndihet i përfaqësuar nga organizata që drejton futbollin botëror, as ai nuk ka ndërmend ta përfaqësojë.

“I kam thënë Gianni Infantino-s se nuk do të jem kapiteni i skuadrës së legjendave, sepse asgjë nuk ka ndryshuar te FIFA nga momenti që Blatter dhe Grondona janë larguar. Kanë mbajtur lojtarë si Marco Van Basten, Ruud Gullit dhe mua në një dhomë si të ishim qen. Ka qenë një mungesë respekti totale. Tani do të filloj të them gjërat që di mbi FIFA-n e re”, ka thënë Maradona.

Nuk ka shpëtuar as Boban, i cili është Sekretar i Përgjithshëm i FIFA-s. Me kroatin, sipas “Mundo Deportivo”, ka patur një debat të ndezur pak muaj më parë, kur të dy janë takuar në një hotel ku qëndronin shumë ish-futbollistë të mëdhenj. Dhe tani Maradona kërkon revanshin… por në ring!

“Dua t’i them Boban-it, i cili është pjesë e FIFA-s dhe pranon gjëra të tillë, se jam gati ta pres në ring nëse do. Është e kotë që të zemërohet. Pjesa më e keqe është se e ka dërguar Infantino. Nuk jam një djalosh 20-vjeçar, jam 58 dhe këto gjëra më vrasin, sepse besova te njerëzit, por tani nuk kam më besim”.

Domethënë, marrëdhëniet me drejtuesit e futbollit botëror vazhdojnë të mos jenë të mira. Dhe të mendosh se në fillimin e mandatit të Infantino-s, Diego ishte një nga mbështetësit kryesorë të presidentit të ri…