Mandl: S’e kisha menduar kurrë që Izraeli do ta njihte Kosovën, ishte gëzim i veçantë

“Austria dhe Kosova janë të lidhura ngushtë”, thotë veç tjerash në intervistën për albinfo.at Lukas Mandl, eurodeputet austriak dhe kryetar i Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri.

Lukas Mandl është një nga eurodeputetët që angazhohet me forcë dhe entuziazëm për pozicionimin dhe të ardhmen e Kosovës dhe të Ballkanit Perëndimor në BE. Me punën e tij si deputet në Parlamentin Evropian që nga viti 2017 e këtej, ai mundohet të integrojë Ballkanin Perëndimor në BE, jo vetëm nga ana ekonomike, por mbi të gjitha, nga ana parimore dhe demokratike.

Libri më i ri i tij, i prezantuar më 17. shkurt 2021, ditën e Pavarësisë së Kosovës, quhet „Kosovo and the EU – state of play“. “… Austria dhe Kosova janë të lidhura ngushtë; Popullsia kosovare në Austri po rritet gjithnjë e më shumë… Përtej kësaj, investimet austriake në Kosovë janë mbi mesataren. Shumë kompani austriake mbështeten në fuqinë punëtorë nga Kosova”,- kështu shprehet Mandl. Me parathënien e kancelarit Sebastian Kurz, në librin e Lukas Mandl, lexuesit i hapen shumë perspektiva dhe i shpalosen detaje mbi Kosovën dhe në përgjithësi rreth Ballkanit Perëndimor.

Albinfo.at: Librin tuaj më të ri në formë fjalori i publikuar në përvjetorin e Pavarësisë së Kosovës quhet„Kosovo and the EU – state of play“ ia keni dedikuar Kosovës. Çfarë ndikimi pritet të ketë ky libër dhe cilat janë temat thelbësore të tij?

Lukas Mandl: Ky libër bashkon mendimet dhe këndvështrimet evropiane aktuale mbi Republikën e Kosovës, të dhëna nga figura të njohura nga fushat e politikës, shoqërisë dhe shkencës. Ideja për ta publikuar në formë fjalori ishte për të lehtësuar gjetjen e temave në bazë të terminologjisë së trajtuar si për shembull “Ministria e Mbrojtjes e Republikës së Kosovës”, “Kryetari i Komitetit për Punët e jashtme i Parlamentit Evropian”, “Zëdhënësi i Serbisë në Parlamentin Evropian” etj. Trajtimi i temave fillon që nga liberalizimi i vizave për qytetarët kosovarë, gjë që duhet të ishte miratuar me kohë nga BE-ja, nga reformat e nevojshme në drejtësi, gjë që duhet të bëhet nga Kosova gjithsesi për të nxitur investimet, deri tek mundësitë në fushën digjitale apo dhe në fusha të tjera.

Albinfo.at: Në libër flasin shumë figura të njohura te politikës evropiane mbi Kosovën, ka qenë kjo një strategji e juaja apo ka qenë ky një selektim spontan?

Lukas Mandl: Në këtë drejtim nuk kishte shumë vend për të vendosur. Qëllimi ishte të mblidheshin mendimet dhe pikëpamjet e një pjese të madhe të vendimmarrësve evropianë, të cilët luajnë një rol të rëndësishëm dhe mbajnë përgjegjësi për të ardhmen e Kosovës, si dhe për plotësimin e ëndrrës së madhe evropiane për t´i mbledhur të gjitha shtetet nën një çati. Të gjitha figurat që flasin në libër janë partnerët e mi në punën parlamentare në fusha të ndryshme. Unë u kërkova të gjithëve një bashkëpunim dhe shumica pranoi menjëherë. Në këtë mënyrë arritëm të realizojmë një pasqyrë të momentit si dhe një shikim në të ardhmen e Kosovës.

Shtetasit e Kosovës, sidomos të rinjtë janë shumë pro-evropiane. Çfarë do të ndodhte në qoftë se kjo simpati do të vazhdojë të mos paguhet me të njëjtën monedhë nga BE-ja? Si trajtohet kjo temë në librin tuaj?

Lukas Mandl: Shumë ko-autorë shtjellojnë tema mbi të ardhmen, jo vetëm se janë të rëndësishme, por mbi të gjitha, emergjente. Ne duhet të bëhemi koshientë për faktin që dëshira e mirë kundrejt Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht kundrejt Kosovës për një të ardhme të mirë fillon, tani. E ardhmja fillon TANI. Pikërisht në ketë po punojmë. Gjithashtu dua t´u deklaroj të rinjve në Kosovë se ata kanë partnerë të fortë në Evropë dhe në të gjithë botën, për të cilët e ardhmja e kësaj gjenerate ka një rëndësi të veçantë. Këta partnerë të fortë do t’u bëhen gjithnjë krah qytetarëve kosovarë, të cilët janë një pasuri jo vetëm për Evropën, por për të gjithë familjen njerëzore.

Albinfo.at: Kosova është disi si “fëmija” juaj, ju jeni dhe themeluesi i “Shoqatës së miqësisë Kosovë-Austri”, keni një lidhje të veçantë me të apo ju intereson thjesht politikisht?

Lukas Mandl: Bashkëpunimi me Kosovën është për mua si eurodeputet austriak, jo vetëm një detyrim në kuadër të punës, por edhe një angazhim të cilin unë e bëj me shumë kënaqësi, sepse aty qëndrojnë qëllime me prioritet të lartë, duke më motivuar të luftoj për to dhe për të ecur përpara. Përparimi dhe zhvillimi i mirë i Kosovës si dhe Ballkanit Perëndimor ka rëndësi primare si për Austrinë ashtu dhe për të gjithë Evropën. Për të mos harruar këtu mikpritjen, optimizmin mbi të ardhmen, kozmopolitizmin apo mentalitetin “Hand-on”, gjëra të cilat unë i vlerësoj në mënyrë të veçantë tek shqiptarët e Kosovës. Gjithashtu kam lidhje miqësore, pasi një nga shokët e mi të ngushtë, Arbër Marku, ka prejardhje shqiptare dhe vjen nga Dibra e Maqedonisë së Veriut. Ai është gjithashtu sekretar i përgjithshëm i “Shoqatës së Miqësisë Kosovë-Austri”.

Albinfo.at: Muaj më parë, Kosova është njohur si shtet i pavarur edhe nga Izraeli. Çfarë do të thotë kjo për të ardhmen e Kosovës?

Lukas Mandl: Në fakt Kosovën duhet ta njohin më në fund si shtet të pavarur edhe pesë shtetet anëtare të BE-së. Njohja e Kosovës si shtet i pavarur nga Izraeli ka qenë dhe është një befasi e gëzueshme. Nuk e kisha menduar asnjëherë që Izraeli do ta njihte Kosovën para këtyre shteteve. Për mua është ky një gëzim i veçantë, sepse me Izraelin dhe izraelitët kam gjithashtu lidhje të ngushta. Izraeli na tregoi të gjithëve se e ka situatën diplomatike dhe atë mbi të ardhmen nën kontroll të plotë dhe me këtë vendim largpamës u bë shembull për Spanjën, Sllovakinë, Rumaninë, Qipron dhe Greqinë. Ndërkohë, vendimi i këtyre shteteve nuk ka të bëjë në mënyrë direkte me pozicionimin kundër Kosovës, por mbi të gjitha me problemet e secilit shtet në politikën ie brendshme. Vendimi i Izraelit është një vlerësim i madh për Kosovën dhe njëkohësisht ai ndikon për të shtuar presionin mbi këto pesë shtete anëtare të BE-së për të marrë vendim sa më të shpejtë.

Albinfo.at: Ju keni theksuar shpesh që BE-ja duhet të mbajë premtimet e saj; si psh. liberalizimin i vizave për qytetarët kosovarë. Por në anën tjetër, qytetarët e BE-së mund të udhëtojnë pa vizë në Kosovë, gjithashtu edhe shtetet e Ballkanit Perëndimor kanë prej kohësh liri të lëvizjes. Pse po bllokohet ende kjo gjë edhe pse Kosova i ka përmbushur me kohë të gjitha kriteret?

Lukas Mandl: Kjo temë është për të ardhur keq dhe njëkohësisht e padrejtë. Megjithatë është e thjeshtë për tu kuptuar. Në bazë të marrëveshjeve të BE-së, si të thuash kushtetutës së saj, kërkohet që për çdo vendim të arrihet unanimitet jo vetëm në parlamentin evropian, por edhe ndërmjet shteteve anëtare. Dmth. Parlamenti Evropian ka votuar pro liberalizimit të vizave dhe Komisioni Evropian ka aprovuar zyrtarisht që Kosova i përmbush të gjitha kriteret. Problemi qëndron tek shtetet anëtare, të cilat duhet të vendosin për sa i përket politikës së jashtme unanimisht, pra duhet të votojnë të gjitha pro, pa asnjë përjashtim. Fatkeqësisht, ky unanimitet nuk është arritur deri më sot. Unë si deputet si dhe një pjesë e madhe e parlamentit, mundohemi shpesh ta nxisim këtë vendim.

Albinfo.ch: Ju keni qenë në 2019 i deleguar i BE-së për monitorim të zgjedhjeve në Kosovë dhe keni deklaruar: “…kanë qenë zgjedhjet më të organizuara në shtetin më të ri të Evropës, që është vetëm 11 vjet Republikë…”. Besoj se i keni ndjekur dhe zgjedhjet e fundit në shkurt 2021, keni vënë re ndryshime?  

Lukas Mandl: Së bashku me disa eurodeputetë, të cilët kanë lidhje të ngushta me Kosovën u munduam të bindim kryetarin e parlamentit të zbusë disa rregulla të pandemisë dhe të lejojë monitorimin e zgjedhjeve nëpërmjet një delegacioni eurodeputetësh. Qëllimi im kryesor ishte, të kontribuoja në zhvillimin e zgjedhjeve të pastra dhe pa eksese, duke siguruar një proces zgjedhor demokratik, por kjo nuk u miratua, sepse gjatë pandemisë janë ndaluar udhëtimet e 2 delegacioneve të parlamentit evropian. Me sa jam i informuar unë, kanë kryer monitorime disa organizata ndërkombëtare dhe mund të them se jam i kënaqur me faktin, që deri tani s’kam dëgjuar asgjë tejet negative rreth zgjedhjeve. Pra, mund të them se zgjedhjet kanë qenë të mirë organizuara. Demokracia në Kosovë po funksionon dhe kjo është tashmë e dukshme.

Albinfo.at: Duke ju bashkëngjitur pyetjes së mëparshme, si mendoni se do ta bëjë punën e tij Albin Kurti? Si e vlerësoni ju?

Lukas Mandl: Besoj se Albin Kuti dhe Vjosa Osmani do arrijnë të bëjnë një punë të mirë së bashku në “Team”.  Ata krijuan një aleancë me njëri-tjetrin, e cila arriti të fitojë qartë besimin e elektoratit.  Ata mund të arrijnë së bashku gjithçka që është në të mirën e qytetarëve të Kosovës, të cilën unë ua dëshiroj shumë, sepse ata e meritojnë: së pari, stabilitet në struktura të ndryshme; dhe së dyti, në marrëdhëniet me partnerët e duhur duke përfituar forcë dhe mbështetje për reformat si në politikën e brendshme ashtu dhe në atë të jashtmen. Këto gjëra do të jenë me të vërtetë të rëndësishme. Në të gjitha këto pika, Albin Kurti dhe Vjosa Osmani si dhe të gjithë koleget dhe kolegët në Parlamentin e Kosovës, do të kenë mbështetje nga anë të shumta, sigurisht dhe nga ana ime. Bashkëpunimi do të jetë çelësi dhe diçka absolutisht e domosdoshme për Albin Kurtin dhe Vjosa Osmanin për të realizuar unitetin dhe rrugët e suksesshme të lartpërmendura për shtetasit kosovarë.

Albinfo.at: Si i vlerësoni vizionet dhe shanset e Kosovës për dekadat e ardhshme?

Lukas Mandl: Nga ana politike ka shumë për të bërë. Kualiteti i jetesës, mundësitë dhe zhvillimi arsimor,  shëndetësia dhe shumë gjëra të tjera varen nga zhvillimi ekonomik i vendit. Sidomos marrëdhëniet me vendet fqinje dhe me të gjithë Evropën ndikojnë fuqishëm në ekonomi, sepse partnerët në ekonomi, pra në biznes kanë gjithnjë marrëdhënie të mira. Pra, dhe shanset dhe mundësitë e rinisë në të ardhmen varen direkt nga zhvillimi ekonomik. Në qoftë se do të ketë reforma të shtetit ligjor, do të vërshojnë investimet, kjo do të hapë vende të reja pune duke mbështetur të rinjtë e talentuar dhe të përgatitur për t’iu ofruar mundësi të reja për të ndërtuar vendin e tyre. Industri tradicionale s’ka pothuaj fare, por ka p.sh. një bujqësi të mirë dhe funksionale. Përtej kësaj, duhet të krijohen mundësi të reja në sektorët në zhvillim e sipër. Një sektor i tillë është, ose le të themi më mirë duhet të bëhet, digjitalizimi. Kosova dhe Ballkani Perëndimor duhet të bëhen si një lloj “Silikon Valley” evropian. Për këtë as që ka nevojë të ketë industri tradicionale. Por, për çfarë ka nevojë, janë të gjithë ata të rinj me energji të plotë, me uri për tu arsimuar, të etur për dituri dhe me zell pune, gjëra të cilat i kanë shumica e të rinjve kosovarë.

Albinfo.at: Një citat i Karl Dedecius-it thotë: “Mjerimi i historisë sonë ka rrjedhur gjithmonë nga fakti se e njohim shumë pak Lindjen”. Si do ta përshkruanit ju humnerën midis Perëndimit dhe Lindjes/Juglindjes së Evropës dhe ku do ta vinit theksin më të madh në lidhje me këtë?

Lukas Mandl: Ky është një citat i fortë të cilin unë nuk e njihja. E kuptoj shumë mirë dhe mendoj se ka shumë të vërteta në të. Unë personalisht përjetoj në Parlamentin Evropian shumë ndryshime në mentalitet midis Lindjes dhe Perëndimit dhe këtë e them pa bërë ndonjë vlerësim. Ne jemi të gjithë evropianë, ne i përkasim njëri-tjetrit dhe si të thuash na ka bashkuar fati në këtë kontinent. Për Austrinë thonë psh. shpesh që është vendi më lindor i Perëndimit dhe kjo do të thotë diçka më vete. Unë e bëj shpesh rolin e ndërmjetësit në Parlamentin Evropian dhe e bëj me kënaqësi këtë. Të ndërtosh ura lidhëse më jep kënaqësi. Kjo duhet të jetë midis Veriut dhe Jugut, Lindjes dhe Perëndimit dhe më tej akoma, motoja e të gjithëve. Njohja e mirë e njëri-tjetrit, që perëndimorët të njohin lindorët apo veçanërisht juglindorët është një investim në paqen e përhershme dhe në një bashkëjetese të shëndoshë. Theksime nuk do të vendosja këtu vetëm në punën parlamentare, por tek secili individ duke filluar që nga mjedisi dhe rrethi i tij. Për një austriak apo perëndimor është një humbje kur ata interesohen pak për Lindjen dhe Juglindjen.

Albinfo.at: Në gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor vazhdon të ketë probleme në të njëjtat fusha pra në drejtësi, në krijimin dhe forcimin e shtetit ligjor si dhe në luftën kundër korrupsionit. Si i vlerësoni ju këto në të ardhmen, a bëjnë këto shtete përpjekje të mjaftueshme për të ndryshuar diçka? Si e vlerëson BE-ja këtë?

Lukas Mandl: Rreth kësaj teme në BE ka pikëpamje të shumta. Këto përmblidhen zakonisht në një procedurë të re për pranimin e shteteve kandidatë, kjo përmbledhje është shqyrtuar dhe miratuar nga BE-ja para një viti. Kapitujt e ndryshëm të negociatave vazhdojnë të negociohen deri në momentin kur çdo kapitull s’ka më pika të hapura, pra realisht kur të mos ketë më asnjë pikë, mbyllen dhe negociatat për kapitullin përkatës. Vendosja dhe mbajtja e shtetit ligjor do të jetë pika më e rëndësishme për të gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Më lejoni t’i shpjegoj arsyet e rëndësisë së krijimit të shtetit ligjor në tërësinë e tij, sepse këtu nuk bëhet fjalë për burokraci apo për letra sipërfaqësore. Këtu bëhet fjalë për thelbin dhe shpirtin e modelit evropian. Një bashkëjetesë e mirë është e mundur vetëm kur ligji mbahet dhe zbatohet dhe gjithashtu kur ai është formuar në mënyrë demokratike dhe me baza orientimi në drejtësi dhe liri. Kur ligji mbahet dhe zbatohet vijnë si rrjedhojë investimet duke hapur edhe vende të reja pune. Pra, krijimi i shtetit ligjor ka të bëjë direkt me zhvillimin e ekonomisë. Ndërkohë, që lufta kundër korrupsionit dhe krimit të organizuar rrit besimin ndërmjet strukturave shoqërore. Kjo është vendimtare për paqen dhe qëndrimin e qytetareve dhe qytetarëve.

Albinfo.at: Ju e keni theksuar rëndësinë e stabilitetit të Ballkanit për BE-në, mund të na e përmblidhni dhe një herë shumë shkurt dhe thjeshtë?

Lukas Mandl: Vetëm BE-ja përfaqëson modelin e jetesës evropiane. Shtetet e Bashkuara përfaqësojnë vlera të ngjashme, por janë shumë larg, e megjithatë ata janë dhe një partner i mirëseardhur i BE-së. BE-ja kërkon gjithnjë kooperacion me pjesë të tjera të botës, por pjesët e tjera anojnë më shumë tek ballafaqimi dhe mundohen ta dobësojnë sa më shumë Evropën, sidomos nëpërmjet përçarjes së shoqërive tona dhe përçarjes së BE-së si komunitet. Këtë përçarje ne nuk e tolerojmë dhe nuk e lejojmë. Ballafaqimin e presim me mbrojtje dhe njëkohësisht kërkojmë ballafaqim në vijim. Ballkani Perëndimor është një rajon në të cilin disa pjesë të botës mundohen të fitojnë terren duke luftuar kundër vlerave evropiane dhe duke kërkuar ballafaqim për të arritur përçarje dhe për ta pasur këtë më të lehtë. Pikërisht këtë nuk duhet ta lejojmë. Është më se e rëndësishme për të gjithë Evropën, që qëndrimi i admirueshëm dhe pro-evropian i shumicës së Ballkanit Perëndimor të çojë në një integrim evropian real. Për të arritur këtë duhet shumë punë, si nga strukturat e larta të BE-së ashtu dhe nga gjashtë shtetet e Ballkanit Perëndimor. Evropianët e meritojnë këtë!

Albinfo.at: Shteteve të Bashkuara të Amerikës si dhe Perëndimit i nevojitet aleanca shqiptaroamerikane për të mbajtur nën kontroll konfliktet dhe tensionimet në Ballkan si dhe për të minimizuar ndikimin e popujve sllavë mbi të. Çfarë qëndrimi mban BE-ja në këtë pikë?

Lukas Mandl: Shtetet e Ballkanit Perëndimor i përkasin Evropës, jo Amerikës. Shpresojmë që të bëhen anëtarë të BE-së dhe jo shtete të Amerikës. Amerika është aleati më i madh dhe më i rëndësishëm i BE-së, sidomos nën administrimin e ri në Shtëpinë e Bardhë ka sinjale për një bashkëpunim akoma më të mirë. Unë kam bindjen që BE-ja duhet të qëndrojë në dialog, nuk duhet të mbyllë asnjëherë dritare, por edhe të kërkojë bashkëpunim nga një pozicion i fortë, këtë edhe me Rusinë. Njëkohësisht BE-ja duhet të sanksionojë çdo lloj shkelje të vijës së kuqe të regjimeve si në Rusi apo Turqi. Ne kemi miratuar një mekanizëm të ri të sanksioneve i cili lejon dhe sanksione kundrejt një personi të vetëm. Nëpërmjet kësaj do të mund të mbrohemi në mënyrë më precize nga sulmet apo tentativave përçarëse. BE-ja ka shuar shumë vatra zjarri në Evropë në dekadat e fundit. Dikur ishin Gjermania dhe Franca të armiqësuara në maksimum, sot ato janë krejt ndryshe. Kështu ka ndodhur dhe në shumë zona të tjera konfliktuale të vogla apo të mëdha. Kësaj do ja dali dhe Ballkani Perëndimor, jo sepse BE-ja do ta bëjë këtë, por sepse ajo ofron dhe ve në dispozicion korniza brenda të cilave evropianët mund të ndërtojnë lirinë dhe vlerat e tyre. Amerika ka qenë gjatë historisë një ndihmë e madhe dhe do të jetë në vazhdimësi nën administrimin e ri.

Besoj se Albin Kurti dhe Vjosa Osmani do arrijnë të bëjnë një punë të mirë së bashku në “Team”.  Ata krijuan një aleancë me njëri-tjetrin, e cila arriti të fitojë qartë besimin e elektoratit. Ata mund të arrijnë së bashku gjithçka që është në të mirën e qytetarëve të Kosovës, të cilën unë ua dëshiroj shumë, sepse ata e meritojnë: së pari, stabilitet në struktura të ndryshme; dhe së dyti, në marrëdhëniet me partnerët e duhur duke përfituar forcë dhe mbështetje për reformat si në politikën e brendshme ashtu dhe në atë të jashtmen

Albinfo.ch: Cilat qëllime politike s`i keni harruar kurrë?

Lukas Mandl: Për t’u qëndruar gjithmonë njerëzve afër, jo vetëm për veten time. Për ta bërë punën politike me qejf, për të theksuar se jam kundër dhunës dhe urrejtjes, për ta trajtuar njëri-tjetrin me respekt duke vlerësuar dinjitetin si dhe për të luftuar për lirinë dhe paqen. Jam shumë falënderues për çdo ndihmë dhe mbështetje të vogël apo të madhe në këtë rrugëtim. Më lumturon fakti kur ndonjëherë ja dal të realizoj diçka me vlerë dhe afatgjate.