Mancini ndjen keqardhje për mungesën e Ronaldos ndaj Italisë

Cristiano Ronaldo ka mbetur sërish jashtë grumbullimit me Portugalinë e cila sonte përballet me Italinë në “San Siro”, ndërsa mungesa e yllit të Juventusit e ka dëshpëruar përzgjedhësin e “Azzurrëve”, Roberto Mancinin.

Ronaldo nuk është paraqitur te Portugalia që nga humbja ndaj Uruguait në Kupën e Botës para 5 muajve, ndërsa Federata Portugeze e Futbollit i ka dhënë periudhë pushimi 5 herë fituesit të Topit të Artë, kurse mbetet e paqartë koha se kur do të rikthehet teksa ndeshje të kombëtareve nuk do të ketë deri në marsin e vitit të ardhshëm.

Megjithatë Portugalia ia ka dalur mjaft mirë ta përballojë mungesën e Ronaldos duke fituar 3 nga 4 ndeshjet e zhvilluara pa prezencën e tij, gjersa para ndeshjes me Italinë kryesojnë grupin 3 të Ligës A në Nations League.

”Cristiano është një nga lojtarët më të mirë në botë. Sigurisht se me të në fushë do të ishte ndeshje tjetër sepse ai ka shkathtësi unike. Sidoqoftë Portugalia ka lojtarë tjerë të jashtëzakonshëm në fazën ofensive. Besoj se do të jetë një përballje spektakolare pavarësisht se do të kishim dashur të ishte edhe Ronaldo. Ndjejmë shumë keqardhje që ai nuk do të jetë në fushë”, deklaroi Mancini.

Për mungesën e Cristiano Ronaldos foli edhe bashkëlojtari i tij te Juventusi, Giorgio Chiellini i cili tregoi se mungesa e 33 vjeçarit nuk do ta ndryshojë qasjen e Italisë ndërsa e pranoi se Portugalia nuk do të jetë e njejtë pa të.

Ndeshja Itali-Portugali zhvillohet sonte me fillim prej ores 20:45, gjersa me një fitore eventuale italianët mund të dalin të parët në grup përkundër që luzitanët e kanë edhe një ndeshje ndaj Polonisë në shtëpi.