Trajneri i Italisë, Roberto Mancini, nuk mundi t’i ndalë lotët e gëzimit pas triumfit në finale të Kampionatit Evropian 2020 kundër Anglisë dhe tha se skuadra e tij, sic e quajti ai, e jashtëzakonshme, e mbizotëroi Anglinë në tokën e saj.

Italia e mundi Anglinë 3:2 në penallti pas një barazimi 1:1 gjatë 120 minutave, për ta fituar trofeun e dytë evropian të dielën në Londër.

Gianluigi Donnarumma ishte heroi i Italisë pasi i priti tri prej pesë goditjeve të anglezëve në penallti, para 66 mijë tifozëve në Wembley, për ta kthyer titullin evropian në Itali pas plot 53 viteve.

Mancini e ka bërë një punë të jashtëzakonshme me Italinë, që prej se e mori drejtimin e saj më 2018, duke mos pësuar disfatë në 34 ndeshje radhazi.

I gemelli del gol pic.twitter.com/Xiww7WfdaR

— Alberto Nardelli (@AlbertoNardelli) July 11, 2021

 “Ne pësuam gol menjëherë dhe vuajtëm, por pastaj mbizotëruam vazhdimisht. Djelmoshat janë të mrekullueshëm. Nuk di çfarë të them më tepër. Ky trofe është i rëndësishëm për të gjithë njerëzit dhe të gjithë tifozët”, tha Mancini pas ndeshjes.

 “Ka qenë e pamundur madje të mendonim për këtë, por djelmoshat janë të jashtëzakonshëm. Nuk kam fjalë t’i përshkruaj ata, është grup i mrekullueshëm. Nuk ishte ndeshje e lehtë e cila në vazhdim u bë shumë e vështirë, por pastaj ne mbizotëruam. Në penallti të duhet fati, dhe më vjen keq për anglezët”.

Italia është e pamposhtur në 34 ndeshje, 27 fitore dhe 7 barazime – disfata e saj e fundit ishte në shtator 2018 (kundër Portugalisë).