Mancini i kënaqur me paraqitjet e Italisë

Përzgjedhësi i Italisë, Roberto Mancini e ka lidhur mungesën e efikasitetit para portës me fatin e keq, ndërsa ka thënë se lojtarët e tij nuk kanë pasur çfarë të bëjnë më shumë.

“Azzurrët” kanë shënuar vetëm 3 gola nga 5 ndeshjet e këtij viti, teksa dështuan të kualifikohen për në Final Four të Nations League, me Portugalinë që e përmbylli grupin si lidere.

Mancini beson se Italia ka qenë e pafat kohëve të fundit ndërsa është ndarë i kënaqur me mënyrën e lojës.

“Sigurisht se është problem mungesa e golave, sepse pa shënuar nuk mund të fitosh. Por në mes të ndeshjeve me Ukrainën, Poloninë dhe Portugalinë i kemi krijuar 20 raste për gol. Kundër Portugalisë portieri kishte një paraqitje fenomenale. Nuk ka se çfarë të bëhet më shumë se kaq, përveç që të shtyjmë topin drej rrjetës. Mendoj se kemi qenë të pafat, por herët apo vonë do të kthehet në anën tonë, e rëndësishme është që të vazhdojmë me lojën sulmuese”, nënvizoi Mancini.

Italia sonte përballet me Shtetet e Bashkuara të Amerikës në një ndeshje miqësore që zhvillohet në Belgjikë.