Manchesteri do të paguajë katërfish më shumë për ta kthyer Januzajn nga Sociedadi

Para më shumë se tre vjetësh, Manchester Unitedi e shiti sulmuesin e krahut, Adnan Januzaj, te skuadra nga La Liga, Real Sociedad. Atëbotë, klubi spanjoll pagoi 8.5 milionë euro dëmshpërblim për kartonin e tij, kurse Manchester Unitedi në marrëveshje futi një klauzolë që mundësonte kthimin e Januzajt në “Old Trafford”. Dhe, pikërisht këtë klauzolë, klubi nga Premier League po synon ta shfrytëzojë për ta kthyer Januzajn në radhët e veta gjatë miniafatit kalimtar të janarit. Mirëpo, klauzola është hiç më pak se 35 milionë katërfish më e madhe se dëmshpërblimi që e pati paguar Sociedadi për transferimin e Januzajt, ka shkruar e përditshmja spanjolle “Don Balon”. Trajneri i Manchester Unitedit, Ole Gunnar Solskjaer, po kërkon me ngulm transferimin e një sulmuesi të krahut dhe beson se Januzaj është i duhuri për shkak se më herët ka qenë pjesë e këtij klubi dhe ka përvojë në Premier League.

“Manchester Unitedi është i vendosur për ta transferuar një sulmues krahu, dhe Adnan Januzaj shihet si zgjidhja e duhur për Solskjaerin. Mirëpo, për ta kthyer Januzajn, Manchesteri duhet ta aktivizojë klauzolën në vlerë prej 35 milionë eurosh”, ka shkruar e përditshmja spanjolle. “Januzaj vitet e fundit është shndërruar në yll te Sociedadi, gjë që ka tërhequr vëmendjen jo vetëm te Manchester Unitedit, por edhe shumë skuadrave të tjera të Evropës”.

Januzaj, 25-vjeçar, ka treguar paraqitje të mira te Sociedadi, ekip me të cilin ka kontratë deri në vitin 2022. Edicionin e shkuar, Januzaj shënoi tetë gola dhe asistoi katër herë në 29 paraqitje në të gjitha garat. Këtë edicion, ai është rikthyer kohë më parë nga lëndimi dhe në tetë ndeshje ka shënuar dy gola. Januzaj si futbollist është zhvilluar në akademinë e Manchester Unitedit, të cilës i është bashkuar në fillim të vitit 2011 nga të rinjtë e Anderlechtit për 375 mijë euro. Pas dy vjetëve tek ekipi U-18, Januzaj është promovuar në ekipin e parë ku në total ka regjistruar 63 paraqitje përpara se të huazohet për të fituar përvojë dhe minutazhë. Manchester Unitedi e ka huazuar Januzajn në dy raste, te Borussia Dortmundi dhe Sunderlandi përpara se të marrë vendim për ta shitur te Sociedadi, ekip që këtë edicion është lider në La Liga. Januzaj javën e shkuar në një intervistë ka zbuluar se dëshira e tij është të mbetet pjesë e ekipit spanjoll edhe pse ka pranuar se të ardhmes nuk i dihet, pasi ende nuk ka nisur negociatat për rinovimin e kontratës. Interesim para Manchester Unitedit për ta kthyer Januzajn në Premier League, kanë shfaqur edhe Southamptoni e Brightoni, që gjithashtu duan t’i sigurojnë shërbimet e tij në janar.