Drejtuesit e Manchester Unitedit do ta gjobisin yllin e skuadrës, Paul Pogbën, pasi që e konsiderojnë të pasjellshme fotografinë që u postua dje në llogarinë e francezit, pasi u bë i ditur lajmi për shkarkimin e portugezit.

Fotoja ku Pogba shihet duke buzëqeshur dhe duke shikuar në mënyrë të çuditshme u postua në llogaritë e francezit në Instagram dhe Twitter, me mbishkrimin “përshkruajeni këtë”.

Postimi u fshi rreth dhjetë minuta më vonë, mirëpo deri atëherë u pëlqye nga rreth 70 mijë njerëz dhe mori përgjigje edhe nga ish-mbrojtësi legjendar i Manchester Unitedit, Gary Neville, i cili shkroi: “Edhe ti mund të zhdukesh”.

Drejtuesit e Manchester Unitedit ishin zemëruar me postimin, të cilin e konsiderojnë si të pasjellshëm. Pogba, i cili i fiton rreth 350 mijë euro në javë në “Old Trafford”, pritet të ndëshkohet për këtë postim.

Marrëdhënia mes Mourinhos dhe Pogbës u përkeqësua gjatë kësaj periudhe 2-vjeçare e gjysmë dhe këtë sezon zënkat e tyre ishin bërë edhe publike. Fillimisht Pogbës i ishte marrë shiriti i kapitenit dhe pastaj u la në stol për dy ndeshjet e fundit, njëra prej të cilave ishte kundër Liverpoolit.

Mirëpo, Adidasi e ka publikuar një deklaratë për shtyp në të cilin arsyetohet postimi i francezit. Sipas kësaj kompanie, e cila është sponsore e Pogbës, postimi ishte bërë nga departamenti i marketingut të Adidasit dhe ishte përgatitur për postim në atë kohë para se të bëhej i ditur lajmi për shkarkimin e portugezit.