Manchester Unitedi mposht Interin

Tri ndeshje, tri fitore në turneun parasezonal për Manchester Unitedit. Skuadra e Ole Gunnar Solskjaerit e vazhdoi këtë formë të mirë me fitoren me rezultat 1:0 edhe kundër Interit.

Goli i dytë i Mason Greenwoodit për këtë turne parasezonal ia dha Manchester Unitedin fitoren e merituar me rezultat 1:0 kundër Interit në International Champions Cup, në Singapor.

Pasi hyri në pjesën e dytë të ndeshjes nga banka rezervë, adoleshenti Greenwood e la shenjën e tij në lojë duke dëshmuar qetësi para portës, kur e shënoi një supergol në minutën e 76-të të ndeshjes.

Goli i Greenwoodit bëri që Antonio Conte të pësojë disfatë në ndeshjen e tij të parë si trajner i Interit, e cila u zhvillua në mesin spekulimeve për transferimin e Romelu Lukakus nga Manchester Unitedi në Inter. Belgu nuk luajti në këtë ndeshje për shkak të një lëndimi.

Manchester Unitedit iu kthyen David De Gea dhe Luke Shaw në formacionin e parë dhe i fundit erdhi shumë pranë një goli në fillim të ndeshjes, mirëpo goditja e tij shkoi jashtë portës së mbrojtur nga Samir Handanovic.

Anthony Martial e testoi kapitenin e Interit me një goditje nga jashtë zonës së 16-metërshit, mirëpo përkundër tentimeve të shumta të “Djajve të kuq”, ata e patën të vështirë ta zhbllokojnë rezultatin.

Andreas Pererira dhe Tahith Chong e kërkuan nga një penallti gjatë pjesës së dytë, kur Interi po tentonte të qëndrojë në lojë, megjithatë gjyqtari nuk e akordoi asnjërën prej tyre.

Rezultati mbeti baras deri në minutën e 76-të, kur Mason Greenwood e vazhdoi superformën e tij në këtë turne parasezonal, duke e shënuar një gol të bukur para stadiumit të mbushur me tifozë të klubit anglez. Mbresëlënës ishte edhe Paul Pogba dhe Aaron Wan-Bissaka.

Ndeshja e radhës e Manchester Unitedi do të jetë kundër Tottenhamit, të enjten, sërish në International Champions Cup, ndërsa në po të njëjtën garë, djemtë e Contes do të tentojnë ta dëshmojnë veten kundër Juventusit.