Manchester Unitedi i ka ndalur negociatat me Christian Eriksenin, pasi që klubi anglez është i bindur se ylli i Tottenhamit e dëshiron transferimin në Spanjë.

Mesfushorit të Tottenhamit i ka mbetur më pak se një vit në kontratën e tij. Në fillim të verës ishte spekuluar se ai do të kalojë në Real Madrid.

Sipas BBC, “Djajtë e Kuq” janë të bindur se danezi e preferon një transferim në Spanjë dhe për këtë arsye ata duan të përqendrohen për ta transferuar ndonjë futbollist tjetër para se të mbyllet afati kalimtar në Angli, nesër (8 gusht).

E përditshmja spanjolle, Marca, pretendon se skuadra e Ole Gunnar Solskjaer do të ishte e gatshme ta shesë Paul Pogban, nëse do të kishin arritur marrëveshje për transferimin e danezit.

Për këtë arsye, lajmi për dështimin e negociatave mes Manchester Unitedit dhe Eriksenin nuk do t’i gëzojë drejtuesit e Real Madridit, të cilët janë udhëzuar nga trajneri Zinedine Zidane ta marrin me çdo kusht.

“Los Blancos” kanë kohë deri më 2 shtator ta sigurojnë transferimin e Pogbas, mirëpo nëse Manchester Unitedi nuk gjen ndonjë zëvendësues për francezin deri nesër, është pothuajse e pamundur që ata ta lejojnë largimin e Pogbas.

loading…