Manchester United vazhdon të insistojë për Bruno Fernandes

Mesfushori portugez Bruno Fernandes do të jetë përforcimi i parë te Manchester Unitedi gjatë afatit kalimtar të janarit, ka raportuar të martën “O Jogo”.

Mësohet se marrëveshja mes dy klubeve është arritur dhe Fernandes do të transferohet te United për 70 milionë euro dëmshpërblim.

Ai te ekipi anglez shihet si përforcim i duhur për repartin e mesfushës pas formës së mirë që ka treguar këtë vit te Sportingu i Lisbonës. 25-vjeçari, këtë edicion ka shënuar nëntë gola dhe ka asistuar gjashtë herë në 17 paraqitje te Sportingu në të gjitha garat.

Portugezi ka kontratë me ekipin portugez deri në vitin 2023 kurse karrierë ka bërë edhe te Sampdoria, Udinese e Novara. Fernandes ka edhe 18 ndeshje dhe një gol të realizuar me Përfaqësuesen e Portugalisë.