“Real Madridi është një ëndërr për të gjithë futbollistët dhe aq më shumë me Zidane trajner, megjithatë jam i lumtur në Manchester. Pavarësisht kësaj, nuk mund të konfirmoj se çfarë do të ndodhë në të ardhmen.”
Kjo ishte përgjigjja e Paul Pogbas në momentin që francezi u pyet rreth një transferimi të mundshëm në radhët e Realit.
Kaq ka mjaftuar që në zyrat e United të nisin në mënyrë alarmante të kërkojnë përfitimin më të madh në rast se Pogba largohet drejt “Santiago Bernabeut”.
“Djajtë e Kuq” mendojnë shkëmbimin si mundësinë më të mirë për të lënë të lirë lojtarin.
“Nëse doni Pogban, atëherë duhet të na jepni Bale dhe Kroos”. Kjo është kërkesa e Manchester United, sipas asaj që publikon britanikja “Mirror”.
Deklaratat e Pogbas nuk kanë kaluar pa u vënë re nga Zidane, qe nuk ngurroi të pranonte publikisht se i pëlqen shumë stili i mesfushorit dhe kjo nuk është diçka e re. Njohja personale që kanë Zizu dhe Paul mund të ndikojë jo pak në këtë transferim.
Është një mesfushor që di të mbrojë e jo vetëm të sulmojë, e ky është një faktor shumë i rëndësishëm çka bën që te Reali ta shohin si objektivin kryesor të merkatos.
Pogba mund të jetë edhe nga futbollistët që Zidane vuri mbi tryezën e Florentino Perezit si kërkesë kryesore për të formuar skuadrën e sezonit të ardhshëm. Aktualisht, të gjithë e dinë që trajneri francez ka fuqinë e plotë të vendosë për çdo gjë sportive te klubi madrilen, nëse Zidane kërkon një futbollist, atëherë Perez do të bëjë gjithçka mundet për t’ia plotësuar dëshirën.







