Nuk ka progres në negociatat ndërmjet Interit dhe Manchester United për Romelu Lukakun.
“Djajtë e Kuq” nuk tërhiqen nga vlerësimi prej 80 milionë eurosh dhe nuk janë gati të pranojnë përfshirjen e lojtarëve të tjerë në operacion, si Mauro Icardi dhe Ivan Perisic.
Vetëm një lojtar nga zikaltërit mund t’i tundojë drejtuesit e klubit anglez, për të hyrë në shkëmbime të tilla.
Në veçanti, ata do të mirëprisnin Milan Skriniar, që është shumë i dëshirueshëm nga Ole Gunnar Solskjaer. Pra, sllovaku është i vetmi lojtar i skuadrës së Antonio Conte, që do ta nxiste klubin nga “Old Trafford” të përfshihej në negociata për sulmuesin belg, pa kushtin fiks të 80 milionë eurove.
Në Milano, megjithatë, e kanë veshin e shurdhër për kërkesa të tilla. Qendërmbrojtësi konsiderohet i patransferueshëm nga zikaltërit dhe do të përbëjë, së bashku me Godin e De Vrij, murin e pakalueshëm të tyre në sezonin e ri.







