E zbulon Guardiola

Manchester City përgatit rinovimin me Sanen

Trajneri i Manchester Cityt, Pep Guardiola ka konfirmuar se kampionët e Premier Leagues janë duke punuar për t’i ofruar kontratë të re Leroy Sanes.

Sezonin e kaluar Sane ishte lojtari më i mirë i ri në ishull, por këtë edicion ka pasur një start të ngadaltë duke shënuar 1 gol në 7 paraqitje, 3 prej të cilave si startues.

Guardiola ka zbuluar se janë afër rinovimit me sulmuesin gjerman, kontrata e të cilit skadon në vitin 2021.

“Klubi po punon në këtë drejtim. Ne i vlerësojmë kualitetet e tija si futbollist, si njeri, por edhe marrëdhenien me klubin. Kjo është e rëndësishme e jo se a i ka luajtur dy ndeshje mirë apo keq. Ngritjet dhe uljet janë normale, ne mundohemi t’i ndihmojmë futbollistët në këto momente për t’i bërë të kuptojnë sa e rëndësishme është vazhdimësia. Por nuk ka dyshime për kualitetet e Sanes”, tha Guardiola.

Manchester City e vazhdon sot kampanjën në Premier League me ndeshjen ndaj Burnleyt në të cilën synohet ruajtja e vendit të parë.