Manchester City lëshon pikë ndaj Newcastle, Liverpooli gjithnjë e më afër titullit

Manchester City humbi pikë për të pestën herë këtë sezon, duke ia vështirësuar shumë punën vetes në tentimin për ta mbrojtur titullin e kampionit të Premierligës, pasi që tani Liverpooli e ka rastin e artë të kalojë në epërsi për 11 pikëve në kreun e tabelës.

Manchester City u ndal me barazim 2-2 në ndeshjen kundër Newcastle Unitedit, në ndeshjen që u zhvillua në stadiumin St.James Park, në kuadër të xhiros së 14-të të Premierligës.

Djemtë e Guardiolës e dominuan plotësisht ndeshjen me 78 për qind të posedimit të topit dhe 22 gjuajtje drejt portës, prej të cilave tetë ishin brenda kuadratit, në krahasim me vetëm tri të Newcastle Unitedit.

Megjithatë, një dominim i tillë nuk u pasqyrua edhe në rezultatin e ndeshjes, pasi që Manchester City u detyrua t’i ndajë pikët me nikoqirët, duke ia dhënë mundësinë Liverpoolit të kalojë në epërsi prej 11 pikësh në kreun e Premierligës.

Manchester City fillimisht kaloi në epërsi në minutën e 22-të përmes një goli të Raheem Sterlingut, mirëpo kundërshtarët iu përgjigjën shpejt duke e barazuar rezultatin vetëm tre minuta më vonë përmes një goli të shënuar nga Jetro Willems.

E njëjta gjë ndodhi edhe në pjesën e dytë. Manchester City kaloi sërish në epërsi në minutën e 82-të, përmes një supergoli të shënuar nga Kevin De Bruyne, mirëpo vetëm gjashtë minuta më vonë rezultati u barazua sërish, këtë herë nga Jenjo Shelvey.

Tani Manchester City i ka 29 pikë të grumbulluara nga 14 xhirot e para dhe është e dyta në tabelën e Premierligës, me tetë pikë më pak sesa Liverpooli, që mund ta rritë epërsinë në 11 pikë nëse fiton sot.