Manchester City i hakmerret Tottenhamit dhe rikthehet në vendin e parë (Video)

Manchester Cityt i ka mjaftuar goli i hershëm i shënuar në minutën e 5-të nga talenti anglez, Phil Foden për të kaluar edhe një pengesë tjetër drejt titullit kampion në Premier League, teksa sot triumfoi 1-0 ndaj Tottenhamit.

Ky takim ishte “reprizë” e përballjes së para 3 ditëve në Champions League, aty ku City fitoi 4-3 por që megjithatë nuk i mjaftoi skuadrës së Guardiolës për t’u kualifikuar për në gjysmëfinale, derisa goli në fushën mysafire ishte aleati i “Spurs”.

“Citizens” në këtë mënyrë iu revanshuan londinezëve për atë eliminim të dhimbshëm, ndërsa në tabelën aktuale parakalojnë Liverpoolin që pozicionohet në vendin e dytë me 85 pikë, një më pak se lideri Manchester City, kur kanë mbetur për t’u zhvilluar edhe 4 javë deri në fund.

Sfida e vetme e vështirë në letër për Cityn është ajo e mesjavës së ardhshme në “Old Trafford” përballë rivalëve lokal, Manchester United, takim ky që mund të vendos shumë për fatet e dyja skuadrave në objektivat e tyre, titull respektivisht kualifkim për në Champions League.

Në anën tjetër Tottenhami mbetet në vendin e 3-të vetëm për momentin me 67 pikë, pasi që kërcënohet nga pas prej Arsenalit, Chelseat dhe Unitedit.

https://cdnja.r.worldssl.net/mp4/jo/joVl.mp4