Man Unitedi siguron fitore minimale kundër Leicester Cityt

Përkundër që Ole Gunnar Solskjaerit i munguan disa lojtarë të rëndësishëm në ndeshjen e sotshme kundër Leicester Cityt, si Paul Pogba e Anthony Martial, Manchester Unitedi arriti të sigurojë fitore me epërsi minimale, 1:0.

Leicester City erdhi në “Old Trafford me synimin për t’ia vazhduar Manchester Unitedin ecurinë e dobët në Premierligë – tri ndeshje pa fitore radhazi – mirëpo ‘Djajtë e kuq” arritën ta sigurojnë një fitore, përkundër mungesave.

Leicesteri dominoi me posedim të topit në këtë ndeshje, mirëpo Manchester Unitedi u tregua më i rrezikshëm me topin në këmbë, duke krijuar më shumë raste të mirë për të shënuar.

Megjithatë, goli i vetëm në këtë ndeshje nuk erdhi nga ndonjë aksion, por erdhi nga pika e penalltisë. Pasi Manchester Unitedi i humbi tri penalltitë e fundit në Premierligë, këtë herë Marcus Rashfordi e kaloi me sukses sfidën që e kishe para vetes, duke e shënuar kështu golin e fitores.

Këto tri pikë e ngritin Manchester Unitedin në pozitën e katërt në tabelën e Premierligës– të paktën momentalisht, pasi që ende nuk janë zhvilluar të gjitha ndeshjet e tjera në kuadër të kësaj xhiroje. Deri më tani, Unitedi i ka tetë pikë nga pesë ndeshje të zhvilluara.

Në mesjavë, të enjten, Manchester Unitedi do të përballet me Astanan, në kuadër në Grupit L të Ligës së Evropës.

loading…