Man City mund t’i mbajë yjet e skuadrës, përkundër dënimit nga UEFA

Pezullimi i Manchester Cityt për dy vjet nga garat evropiane nuk mund ta detyrojë klubin t’i shesë lojtarët më të mirë të skuadrës, pasi që rregullat financiare në Angli janë më të relaksuara sesa ato të UEFA-s.

Manchester City u dënua më 14 shkurt nga UEFA me pezullim nga garat evropiane për dy sezonet e ardhshme, 2020/21 dhe 2021/22, si dhe u ndëshkua me 30 milionë euro gjobë, pasi që i shkeli rregullat e UEFA-s për ndershmëri financiare (FFP).

Dhoma Hetuese e UEFA-s gjeti dëshmi se klubi kishte gënjyer në raporte financiare për paratë e dhuruara nga sponsorët nga viti 2012 deri në vitin 2016, duke thënë se sponsorët kishin dhuruar më shumë para sesa që kishin dhuruar në të vërtetë vetëm sa për t’i mbuluar shpenzimet.

Pas këtij dënimi kishte pasur shqetësime se yjet e Cityt do të largoheshin nga skuadra. Megjithatë, pagat e tyre të larta do të jenë të përballueshme për Manchester Cityn.

Kjo pasi që rregullat për ndershmëri financiare janë më të relaksuara në Premierligë sesa në UEFA. Premierliga i lejon klubet të jenë deri më 105 milionë funte në humbje çdo vit, ndërsa UEFA lejon vetëm deri në 30 milionë euro.

Pasi që Manchester City nuk do të garojë në Evropë, klubi do të ketë mundësi të bëjë shpenzime shumë më të mëdha edhe për pagat e lojtarëve, me qëllim për t’i mbajtur ata në skuadër.