Man City fiton në Londër ndaj Tottenham, rimerr kryesimin

Tottenham – Manchester City ishte ndeshja e fundit e xhiros së 10-të në Premierligë.

Këtë ndeshje e fituan mysafirët, me rezultatin minimal 0:1.

Golin e vetëm të këtij takimi e realizoi Ryiad Mahrez, i cili konkretizoi asistimin e Raheem Sterling, në minutën e 6’ të takimit.

Mysafirët rrezikuan edhe njëherë në pjesën e parë me anë të Sterling, mirëpo nuk pati ndryshim rezultati.

Pjesa e dytë tregoi një lojë edhe më dinamike, me një Tottenham më kërkues.

Pak minuta pas fillimit të pjesës së dytë, David Silva lëshoi një rast fenomenal për të dyfishuar epërsinë.

Në 25 minutat e fundit, iniciativa ishte totalisht e vendasve. Ata mundësinë e “artë” e patën në minutën e 80’ kur Eric Lamela, i vetëm me portierin gaboi.

Me këtë fitore, Manchester City rikthehet në pozitën e parë në tabelë, me pikët e barabarta me Liverpool, por me një gol diferencë më të mirë.

Tottenham në anën tjetër pozicionohet në pozitën e pestë, me 21 pikë të grumbulluara.