Maloku sulmon tërthorazi Osmanin: Saherë që LDK-ja është në pozicion të favorshëm, të gjithë bëhen bashkë për ta luftuar

Deputetja e Kuvendit të Kosovës nga radhët e Lidhjes Demokratike të Kosovës, Doruntinë Maloku, ka thënë se ekzistenca dhe roli i LDK’së është një makth për kundërshtarët politikë të saj.

Sipas Malokut, cenimi i dinjitetit të LDK’së është qëllim përbashkues i të gjitha partive në Kosovë.

“Ne kemi faj edhe kur jemi në pushtet edhe kur jemi në opozitë. Ne kemi faj edhe kur ndihmojmë, por edhe kur heshtim. Edhe nëse dëshmojmë që nuk kemi faj, prapë shpallemi fajtorë”, ka shkruar Maloku në Facebook.

“Praktikisht, ne kemi faj për gjithçka. Kemi faj pse ekzistojmë. Pra, ky është faji i LDK-së. Ekzistenca e saj, roli i LDK-së është makth për kundërshtarët politik, prandaj, cenimi i dinjitetit të LDK-së është qëllim përbashkues i të gjitha partive në Kosovë. Dhe kjo, është dëshmuar dhjetëra herë”, është shprehur ajo.

“Është dëshmuar që saherë që LDK-ja është në pozicion të favorshëm, të gjithë bëhen bashkë për ta luftuar. Sa herë që LDK është unike, luftohet për ta përçarë. Saherë që LDK është më dobët, luftohet për ta shkatërruar”, ka thënë Maloku.

Përplasja e kryetares së Kuvendit, Vjosa Osmani me partinë e saj, LDK-në, ka bërë që ajo në disa qarqe elektorale të shihet si kryetare e ardhshme e kësaj partie.

Në intervistën e mbrëmshme, Osmani sulmoi komplet kryesinë e LDK-së, duke nisur nga kryetari Isa Mustafa, nënkryetari Agim Veliu etj.

Osmani kritikoi parinë e LDK-së për rrëzimin e Qeverisë Kurti, duke thënë se kjo nuk do të duhej të ndodhte  në këtë kohë.

Të kujtojmë se për intervistën e mbrëmshme dhe për akuzat e Osmanit, ka reaguar sot nënkryetari i LDK-së, Agim Veliu.

Ai e ka akuzuar Osmanin si përkthyese të Hashim Thaçit dhe si dikush që nuk ka pranuar të kandidojë për kryetare të Prishtinës.

Lexoni edhe: 

Grafite në kryeqytet: Vjosa Osmani, kryetare e LDK-së