3-0

Malisheva fiton bindshëm te Liria, i afrohet në vetëm pesë pikë liderit

Malisheva ka fituar me lehtësi 3-0 në udhëtim te Liria në ndeshjen e vlefshme për javën e 26-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Ekipi i Qëndrim Kidës ka vazhduar me lojëra të mira dhe fitore, duke mposhtur Lirinë dhe duke u ofruar në vetëm pesë pikë me pozitën e parë.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë deri diku të barabartë, por mysafirët ishin për një nuancë më të mirë duke shënuar edhe një gol.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e 13-të me anë të Drilon Hazrollajt, i cili shënoi për 0-1.

Në pjesën e dytë, Malisheva ishte dukshëm skuadër më e mirë duke pasur parasysh që luajtën me një lojtar më shumë për më shumë se gjysmë orë dhe kështu shënuan edhe dy gola tjerë.

Fillimisht ishte Brruti, i cili shënoi për 0-2 në minutën e 70-të, pasi disa minutë më herë iu anulua një gol pas rishikimit të VAR-it.

Për rezultatin përfundimtar 0-3 u përkujdes kapiteni Agon Xhaka, i cili shënoi me kokë në minutën e 86-të.

Pas kësaj fitore, Malisheva e sheh veten në pozitën e katërt me 47 pikë apo dy më pak se Drita e treta, ndërsa Liria është e fundit me vetëm 10 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Malisheva e pret Dritën, ndërsa Liria udhëton te Llapi.