Superliga

Malisheva befason Llapin, e mposht në Podujevë

Malisheva ka fituar me rezultat 0-1 në udhëtim te Llapi në ndeshjen e vlefshme për javën e 16-të në Albi Mall Superligën e Kosovës.

Llapi nuk ka arritur të vazhdoj serine e fitoreve pasi është ndalur nga Malisheva, e cila ka shijuar tri pikë pas dy humbjeve radhazi.

Pjesa e parë e ndeshjes u karakterizua me lojë më të mirë të mysafirëve, të cilët gjeten edhe golin e epërsisë.

Goli i vetëm në këtë pjesë erdhi në minutën e gjashtë me shënues Agon Xhaka, i cili shënoi nga afërsia për 0-1.

Në pjesën e dytë, Malisheva përsëri ishte më e mirë në fillim, por më vonë Llapi mori lojën në dorë duke krijuar shumë raste në kërkim të golit të barazimit.

Megjithatë, edhe përkundër rasteve të shumta nga të dyja palët e sidomos nga vendasit në pjesën e fundit të ndeshjes, portat mbeten të paprekura dhe ndeshja u mbyll me fitoren 0-1 të Malishevës.

Pas kësaj fitore, Malisheva kalon në pozitën e katërt me 23 pikë, ndërsa Llapi zë vendin e dytë me 27 pikë.

Në ndeshjen e ardhshme, Llapi e pret Ballkanin, ndërsa Malisheva është nikoqire e Lirisë.