Maliqi, Qeverisë për afganët: Çka ka këtu me u mendu kaq gjatë, pranojmë aq sa kemi takat

Njohësi i çështjeve politike, Agon Maliqi, ka kritikuar qeverinë pse nuk ka dalë ende me një qëndrim lidhur me pranimin e refugjatëve afganë në Kosovë.

Presidentja Vjosa Osmani më herët, me anë të një postimi të gjatë në profilin e saj në Facebook ka folur për kërkesën e ShBA-së për strehimin e përkohshëm të afganëve, duke theksuar se për këtë çështje ishte kontaktuar në korrik nga ambasadori Kossnet. Të cilit thotë se menjëherë, pa asnjë hezitim ia ka dhënë pëlqimin, për siç e quan – operacion humanitar.

Maliqi ka vlerësuar qëndrimin e Osmanit, ndërkohë që ka thënë se mungesa e deklarimeve nga ana e qeverisë për këtë çështje është e panevojshme dhe se duhet të pranohen aq refugjatë sa kemi mundësi.

“Shumë i mirë qëndrimi i Presidentes, por pse nuk ka akoma qëndrim zyrtar qeveria për punën e afganëve, meqë negociatat paskan filluar në korrik. Qeveria është ajo që duhet ta miratojë & zbatojë procesin. Çka ka këtu me u mendu kaq gjatë? I pranojmë aq sa të kemi takat”, ka shkruar Maliqi në rrjetin social Twitter

Ndryshe, forcat talebane sot u futën brenda kryeqytetit të Afganistanit, Kabul, teksa presidenti afgan mori arratinë duke ikur nga vendi. Të gjitha këto zhvillime ndodhën pas largimit të forcave amerikane pas 20 vjetëve qëndrim në vend.