Agon Maliqi

Maliqi paralajmëron konflikt të ngrirë për Kosovën nëse nuk arrihet marrëveshja me Serbinë

Në rast se dialogu Kosovë -Serbi nuk përmbyllet brenda një viti, Kosova rrezikon të hyjë në një konflikt të ngrirë me Serbinë.

Këtë bindje ka ndarë për KosovaPress analisti politik Agon Maliqi gjatë qëndrimit në Beograd, ku ka marr pjesë në kuadër të Forumit për Sigurinë.

Ai ka paralajmëruar edhe për rreziqe të tjera që i kanosen Kosovës e rrjedhimisht gjithë Ballkanit, në rast se çështja e dialogut Kosovë – Serbi nuk përfundon me një marrëveshje të pranueshme për të dyja palët.

“Ekzistojnë rreziqe shumë të mëdha nëse ky proces nuk përmbyllet brenda një viti. Nëse e lejojmë që procesi të shkojë drejt mandatit të ardhshëm të BE-së, ku kriza brenda BE-së po thellohet, ku përçarjet e brendshme rrezikojnë pastaj me u reflektu në një interes më të ulët për Ballkanin. Ne si Kosovë po futemi në një ambient shumë të brishtë pa e zgjidhë këtë pjesën e fundit me Serbinë. Mendoj që në njëfarë forme kjo mund të na çojë drejt një konflikti të ngrirë me rreziqe shumë të mëdha për më vonë që nuk na e mundësojnë edhe neve si Kosovë që të merremi me tema më të rëndësishme që në njëfarë forme e fuqizon elitën e sotme politike edhe më shumë fakti se ka dialog dhe duhet të merremi me dialog”, tha Maliqi.

Gjatë qëndrimit në Beograd, Maliqi ka qenë penalist ku është diskutuar për dialogun në mes të Kosovës dhe Serbinë.

Ai tregon se aty ka potencuar rëndësinë që t’i jepet një shtysë dialogut, duke ruajtur kufijtë e Kosovës dhe modelin e shtetit që është ndërtuar në vitin 2008. Ndërsa shtoi se drejtori i të ashtuquajturës zyrë për Kosovën në Serbi, Marko Gjuriq, ka kontestuar shtetësinë e Kosovës.

“Tema e përgjithshme ishte faza e re e dialogut dhe aty arritëm me i fokusu shumë gjëra. E para që theksova, meqë në panel kishte edhe përfaqësues politik, është çështja e shtetësisë të Kosovës si një proces i cili nuk mund të kthehet mbrapa. Që Kosova ekziston si një entitet i konsolidum ndërkombëtarisht. Gjë që zoti Gjuriq e kontestoi. Do të thotë që në ne po futemi në këtë fazë duke qenë entitet që në njëfarë forme po mundohet të përmbyllë konsolidimin e shtetësisë”, tregoi Maliqi.

E jo pak vëmendje ka marrë edhe ideja e presidentit Hashim Thaçi për korrigjim të kufirit. Në këtë pikë, analisti Agon Maliqi thekson se prioriteti i Kosovës duhet të jetë arritja e një marrëveshjeje përfundimtare, pa ndryshim të kufijve.

Lidhur me këtë çështje, ai njëherësh ka treguar edhe disponimin që kanë shfaqur përfaqësuesit diplomatik me të cilët është takuar.

“Ajo është një prej propozimeve. Presidenti Thaçi e ka marrë nj risk të madh politik për ta propozuar atë ide. Ka skepticizëm të madh. Është një frikë e madhe për pasojat rajonale, sidomos në Bosnje por edhe në Maqedoni, sidomos pas dështimit të referendumit në Maqedoni. Ekziston një frikë për pasojat që mund të ketë. Po gjithashtu ekziston edhe një bindje se kjo nuk është ndonjë zgjidhje që mund të zgjidhë diçka. Se nuk është një zgjidhje pikë së pari që zbatohet, sepse nuk e kemi të qartë se ku do të çojë. Që ka shumë rreziqe që mund të shkaktojë konflikte edhe më të mëdha… Mirëpo ekziston edhe një frymë më pragmatike sidomos SHBA dhe Franca dhe disa vende të tjera të BE-së, që e shohin këtë si një mundësi pragmatike për zgjidhjen e problemit”, tha ai.

Krejt në fund, ai ka thënë se korrigjimi i kufijve duhet parë si element taktik, mirëpo ka theksuar se ka elemente të rrezikut qoftë afatshkurtër.