Agon Maliqi

Maliqi-Konjufcës: Pse në rrugën drejt “deal-it” të mirë u hap fronti i konfrontimit me aleatët?

Politologu Agon Maliqi ka lavdëruar kryetarin e Kuvendit Glauk Konjufca, i cili mbrëmë ka pranuar se Marrëveshja me Serbinë e vitit të 2013 ka qenë e mirë.

Ai ka bërë me dije se propozimi për të krijuar asociacionin pa kompetenca ekzekutive në këmbim të njohjes de fakto nga Serbia ka qenë i duhur.

Maliqi është shprehur i habitur se pse Qeveria e Kosovës nuk ka ecur përpara në këtë rrugë.

“Glauk Konjufca dje tha diçka të rëndësishme dhe të saktë. Tha se u është dukur “deal” i mirë një marrëveshje që në këmbim të Asociacionit të nënshkruar prej qeverive të kaluara (pa kompetenca ekzekutive) të fitohet njohja de fakto, apo zhbllokimi ndërkombëtar. Absolutisht, në rrethanat e tanishme ky është “deal-i” më i mirë i mundshëm dhe Konjufca meriton respekt për guximin për ta pranuar këtë publikisht”, ka shkruar Maliqi në profilin e tij në “Facebook”.

Ai ka thënë se VV-ja duhet të sqaron se pse nuk u vazhdua kjo rrugë, por u provokua situata në veri.

“Por këtu ka një problem. Ta lëmë anash faktin se militanti online e ka masakruar si tradhëtar këdo që e ka propozuar këtë “deal” si të mirë. Mbeten shumë pyetje: pse në rrugën drejt këtij “deal-i” u hap një front konfrontimi dhe u vendos të futeshim në negociata jo me Serbinë, por me SHBA-të, të cilat cila u ofruan si garantuese të këtij “deal-i” të mirë (kujto letrën e Chollet dhe Escobar)? Çfarë u mendua se do të fitohej me qasjen ndaj veriut që binte ndesh me interesat e NATO-s, e që tash po na kthehet bumerang? Kush brenda VV i fryu dhe po i fryn mosbesimit në aktorët e vetëm që mund ta zbatojnë këtë deal të mirë? Kjo kontadiktë duhet zgjidhur, sepse të thuash se diçka është e mirë dhe të punosh kundër saj nuk shkon”, ka shkruar Maliqi.