Publicisti

Maliqi: Idetë e LVV-së janë në politikën e jashtme qe 10 vjet, rezultatet përfshijnë humbjen e kohës e rasteve historike për konsolidimin e shtetit

Publicisti Agon Maliqi thotë se Lëvizja Vetëvendosje për 10 vjet ka prodhuar rezultate si “humbja e kohës dhe rasteve historike për konsolidimin e shtetit dhe rrugën drejt NATO-s dhe BE-së”.

Maliqi shkruan se idetë e LVV-së janë në politikën e jashtme të vendit që prej vitit 2014.

“Lëvizja Vetëvendosje nuk është në pushtet vëtëm 3 vitet e fundit. Në politikë të jashtme, idetë e saj janë në pushtet prej vitit 2014 e tutje. Kjo sepse ato u patën përvetësuar deri diku nga partitë e tjera që filluan t’i frikësoheshin emocioneve që i ngjallte popullizmi opozitar dhe abuzimi me retorikë nacionaliste. Rezultati i këtij pushteti popullist 10-vjeçar për Kosovën – përmes krijimit të gogolëve si “demkarkacioni’ dhe “asociacioni’ – është humbja e kohës dhe rasteve historike për konsolidimin e shtetit dhe rrugën drejt NATO dhe BE; izolimi i Kosovës; shpërqëndrimi nga prioritetet e tjera të brendshme si ekonomia, arsimi apo shëndetësia”, shkruan Maliqi në Facebook.

Kjo, që Maliqi tash e quan “dehje populliste”, thotë se “është në fazë të goditjes përfundimtare të murit me krye dhe të mohimit se aty ndodhet një mur”.

“Dehja populliste tani është në fazë e goditjes përfundimtare të murit me krye dhe të mohimit se aty ndodhet një mur. Hipnoza është në kulminacionin e saj sepse profeti shpëtimtar nuk mund ta ketë gabim, prandaj çdokush tjetër e ka gabim. Kushdo që e konstaton këtë dehje – shtetet aleate, shoqëria civile – është në margjina dhe “po punon për armikun.” Si pjesëtar i kësaj pakice ua them thjesht një gjë: shikoni rezultatet se në çfarë trajektoreje ndodhej Kosova në fillim të dekadës së shkuar, dhe ku ndodhet ajo sot ndërkombëtarisht”, shkruan ai.