Malcom mohon raportimet në lidhje me largimin e tij nga Barcelona

Menjëherë pasi që e luajti ndeshjen e parë si titullar te Barcelona, Malcom përmes një postimi në Instagram mohoi raportimet se dëshiron të largohet nga katalanasit.

21 vjeçari luajti për 80 minuta si startues para se të zëvendësohej nga Arthur në fitoren 0-1 ndaj Cultural Leonesas në Copa del Rey, ndërsa braziliani insistoi se nuk e ka ndërmend të largohet nga Barcelona.

Malcom që u transferua në “Camp Nou” verën e kaluar nga Bordeaux për 45 milionë euro, i ka zhvilluar vetëm 25 minuta si zëvendësues para ndeshjes së mbrëmshme.

“Lidhur me disa lajme të publikuar nga mediat në Spanjë, dua të qartësoj se unë kam ardhur te Barcelona me shumë objektiva dhe kush më njeh e di mirë se jam person i vendosur. Jam shumë i lumtur me evolucionin e karrierës sime dhe ëndërrat e mija janë bërë realitet me kalimin e kohës. Familja ime gjithashtu është përshtatur në Barcelonë, në përfundim unë do të luftojë për gjithçka që kërkoj për karrierën time”, mbyllet shkrimi i Malcom.

Barcelona mposhti konkurrencën e Romës për t’i siguruar shërbimet e brazilianit teksa ia “rrëmbyen” klubit italian në momentet e fundit ish lojtarin e Corinthians.