Xhudistja kosovare, Majlinda Kelmendi, e ka mposhtur xhudisten nga Zvicra, Fabienne Kocher, në çerekfinale të garës Grand Prix Tel Aviv në kategorinë e peshave -52 kg. Kjo fitore ia siguroi kosovares një vend në gjysmëfinale.

Kosovarja arriti ta mposhtë rivalen e saj, Kocher, duke e fituar ndeshjen me ippon dhe e siguroi një vend në gjysmëfinale të kësaj gare.

Për t’u kualifikuar në çerekfinale, Kelmendi e mposhti gjeorgjianen Tetiana Levytska Shukvani, po ashtu me ippon. Ndërsa, në rundin e parë nuk zhvilloi ndeshje fare, pasi ishte automatikisht e kualifikuar për rundin e dytë.

Ky është turneu i parë në të cilin po merr pjesë Kelmendi këtë vit dhe ajo do të tentojë që ta fitojë medaljen e artë, ashtu siç kishte bërë në garën e fundit që e kishte zhvilluar vitin e kaluar.

Ky vit ka filluar shumë më mirë sesa viti i kaluar për xhudisten nga Peja, pasi që vitin e kaluar ajo kishte qenë e lënduar dhe s’kishte pasur mundësi të garonte në xhudo për plot 14 muaj. Pas kthimit të saj në nëntor, ajo ia siguroi Kosovës një medalje të argjendtë dhe një të artë.