Majlinda ende po e ka të vështirë ta përballojë humbjen e pësuar në “Tokio 2020”

Kampionia olimpike Majlinda Kelmendi ende po e ka të vështirë ta përballojë dështimin në Lojërat Olimpike “Tokio 2020”

Kelmendi në Tokio kishte pësuar në raundin e parë nga hungarezja Reka Pupp. Pas garës në Tokio ajo bëri të ditur se ka mbyllur karrierën si xhudiste.

Në një intervistë për faqen zyrtare të Federatës Evropiane të Xhudos (EJU), Kelmendi, ka qarë kur është pyetur se çfarë nuk shkoi në Tokio dhe si u ndje.

“U ndjeva se çdo gjë u shkatërrua. Nuk e kuptoja pse. Nëse jo përvoja ime, atëherë duhej të ishte përgatitja ime fizike, nëse jo përgatitja, atëherë duhej diçka të funksiononte. Tash po mundohem të mos mendoj shumë për këtë. Ishte dita më e keqe e jetës sime”, ka thënë Kelmendi. “Po mundohem të mos mendoj për këtë. Sa herë që mendoj e shihni reagimin. Mundohem të mos e mendoj. Në fillim ishte e vështirë. Zgjohesha natën dhe qaja, nuk e dija pse. Mundohem tash të mos mendoj. Po shkoj të stërvitem me skuadrën, mundohem të ndihmojë. Mundohem të kaloj sa më tepër kohë me familjen time. Duhet të shikoj para, pasi kam pasur aq shumë gjëra të bukura në këtë sport. E di se do të jetë e vështirë ta zëvendësoj ndjenjën, e të gjejë atë ndjenjë diku tjetër. Pasi atë që e ndieja në xhudo nuk besoj se çdokush e ndien. Ishte përvojë e veçantë për mua, për trajnerin tim, për shtetin tim”.

Image

Majlinda Kelmendi, që në xhudo ka fituar çdo gjë që mund të fitohet, përfshirë edhe të artën olimpike në “Rio 2016”, thotë se kishte menduar të mos garonte në Tokio, por trajneri Driton Kuka e kishte bindur të garonte. Ajo thotë se ka bërë mirë që garoi, pasi përndryshe do të pendohej gjithë jetën.

“Në fillim të vitit i dërgova një mesazh Tonit. E pyeta çfarë nëse nuk garoj. Tha është në rregull, ke mjaftueshëm pikë mund të mos garosh deri në Lojërat Olimpike. E pyeta se çfarë nëse nuk garoj fare as në Lojëra Olimpike. Më pyeti nëse dua të tërhiqem. I thash po pasi më nuk ishte gjëja e njëjtë. Ndoshta lëndimet kishin bërë të veten. Kisha në 5 vjet 4 operime, çdo vit kisha ndonjë lëndim të rëndë. Isha e lodhur. Toni më tha se mund t’ia dalësh dhe se me 10 për qind më tepër mund të fitojë të artën. I thash në rregull, nuk do të ndalojë, për të, për ekipin. Stërvitja mirë e fortë, por nuk shkoi si planifikuam, si shpresuam”, thotë Kelmendi. “Mendoj se ishte vendim i mirë që garova. Po të mos garoja në Lojërat Olimpike këtë vit, do të isha penduar gjithmonë. Do të mendoja e flisja për këtë deri në fund të jetës. Do të thoja se po të kisha garuar do të kisha fituar medalje. Nuk e di, momentalisht ndjehem keq. Por pas disa vjetëve do të mendoj për momentet e bukura që kam jetuar në këtë sport”.

Kelmendi thotë se shtyrja e Lojërave Olimpike për një vit shkaku i pandemisë, ka pasur ndikim tek ajo. Pasi që në shtator ajo u desh të operohej në gju dhe u desh sërish të kalonte një fazë të mundimshme të rikthimit.

“Mendoj se shtyrja ndikoi keq. Në fillim mendova se ishte mirë. Kisha disa probleme atëkohë. Mendova se do të kujdesem për to dhe se kam kohë. Tash mendoj se nuk ishte mirë. Në shtator të vitit të kaluar kisha një operim të gjurit., u desh të rikthehesha sërish si fizikisht, ashtu edhe mentalisht. Ishte keq”, tregon Kelmendi.

Kelmendi thotë se në Tokio gjithmonë kishte synim medaljen, synimi i saj ishte të arrinte deri në finale e të fitonte të artën, pasi gjithmonë në çdo garë ka synuar të artën.

“Në kokën time gjithmonë doja të fitoja. Jo vetëm një medalje, por të artën. Ndoshta kjo ishte pikërisht arsyeja pse doja të tërhiqesha. Të jesh më e mira në botë për aq shumë vjet, dhe jo vetëm në 52 kg por në gjithë kategoritë në konkurrencë të femrave, e të vijë një ditë kur fiton një të bronztë e ndonjë vit kur nuk merr fare ndonjë medalje, ishte e vështirë për mua. Në Tokio shkova me synim kryesor të arrija në finale. Unë stërvita mirë, isha mentalisht mirë deri në ditën kur garova”.

Kelmendi thotë se është shumë e lumtur me sukseset që arriti ekipi i xhudos në Tokio. Fitoi dy të arta olimpike me Distria Krasniqin e Nora Gjakovën.

Ajo thotë se kishte frikë se mos po keqkuptohej, pasi e kishte përjetuar rëndë humbjen e pësuar në raundin e parë.

“Jam e lumtur për ekipin tim, për trajnerin tim. Njerëzit gjithmonë më kanë pyetur nëse dikush nga Kosovfa mund të bëhet kampion olimpik. Unë kam thënë se nëse trajneri im do atëherë mund të bëjë kampionë olimpikë. E thash me të vërtetë. Ishte e vështirë për mua pas garës. Distria mori të artën e Nora të artën, ishim bashkë e unë po ndjehesha keq. Thosha ndoshta do të keqkuptohem për situatën. Se mendojnë se nuk po shqetësohem fare për to, por po mendoj vetëm për veten. E se dua që të gjithë të jenë të trishtuar se çfarë më ndodhi mua. Jam e lumtur e krenare për ekipin tim, për trajnerin tim e shtetin tim”, ka thënë Kelmendi.

Ajo ka treguar se kur kishte fituar me Distrinë para garës, ajo kishte thënë se nuk po ndjente fare presion e po i dukej sikur po garon në ndonjë Grand Slam. Thotë se Distria e shijoi garimin në “Tokio 2020” dhe se e mira ishte se edhe pasi fitoi të artën olimpik nuk ndryshoi.

“Pjesa më e mirë ishte se edhe kur fitoi të artën olimpike nuk ndryshoi. Në të njëjtën mënmyrë siç nuk ndryshova as unë. Mendoj se çdo gjë që e bën, fillimisht e bën për veten. Nuk duhet të ndryshosh qasjen apo mënyrën se si ec, apo trajton njreëzit pasi bëhesh kampione olimpike. Arsyeja pse njerëzit më duan e më respektojnë shumë në Kosovë, është se nuk kam ndryshuar. Gjithmonë kam qenë e njëjtë. Edhe nnëse jam heroinë në shtetin tim, të gjithë mund të vijnë të më përqafojnë. Mendoj se edhe Disi po e bën mjaft mirë këtë”, tha Kelmendi.

Sa i përket të artës së Nora Gjakovës, Kelmendi ka thënë se nga potenciali është pritur që Nora të fitonte, dhe se ka mundur të fitonte të artë botërore e olimpike edhe më herët, porse mentaliteti i saj nuk ishte i gatshëm.

“Në këto Lojëra Olimpike ishte ndryshe. Nuk dua të them se u befasova që u bë kampione olimpike. Gjithmonë i kam ditur aftësitë e seaj. Jam shumë e lumtur për të. Ajo vet nuk e priste të bëhej kampione. Kur erdhi nga tatami, tha si fitova, çfarë ndodhi, si ndodhi. Ishte e befasuar. Kemi punuar fortë, jam e lumtur për të dyja, e meritojnë këtë”, thotë Kelmendi.

Kelmendi thotë se dy medalje të arta në Lojërat Olimpike është një gjë që nuk e kanë pritur. Kanë llogaritur në dy medalje por jo të arta. Ajo thotë se kanë punuar fortë për këtë.

“Në kohën kur të gjithë ndaluan stërvitjet, ne vazhduam, stërvisnim e jetonim bashkë. Nuk e pamë familjen tonë për 3-4 muaj. Nuk ndaluam. Edhe vet Toni nuk e priste të fitonim dy të arta. Nëse shikoni Kosova është shtet i vogël, e nuk i kemi kushtet e mira siç i kanë në shtetet tjera. Kemi vetëm trajnerin tonë. Nëse ke trajner të mirë, nuk të duhet asgjë tjetër. Trajneri im, sipas mendimit tim, është më i miri në botë. Të dbëjë dy kampione olimpike nga Kosova është thuase e pamundur. Në vendet tjera si Gjermani e Francë ke shumë talente. Të bësh kampione olimpike nga Kosova., nga disa fëmijë që i ke marrë nga rruga kur ishin 5-vjeçarë, është thuase e pamundur”, thotë Kelmendi.

Sa i përket të ardhmes, Kelmendi ka thënë se synon të bëhet trajner, të stërvisë juniorët e seniorët.

“E dua xhudon shumë, dua të ndihmojë trajnerin. Për momentin nuk e di se çfarë dua. Kështu që trajneri më ka dhënë kohë deri në janar, e më pas do të vendosi. Kam provuar për disa javë të ndihmojë atë, besoni është e vështirë. Kur stërviti gjithmonë jap më të mirën. Punoj fortë. E kur shoh tjerët duke stërvitur u them se duhen stërvitem më tepër. Më thonë se është më e mira, e i pyes se si është më e mira, pasi gjithmonë i krahasoj me veten. Mendoj se jo të gjithë mund të shtyjnë veten shumë në stërvitje. Të gjithë kanë stilin e vet. Xhudoja ime ishte shumë agresive, e gjithmonë më duhej të isha shumë e përgatitur. Duhej të stërvitesha si e çmendur. Më pëlqen të stërvisë tjerët, ndonëse është e vështirë. Më pëlqen të punoj me juniorë e seniorë. Me fëmijë nuk jam aq e mirë. Mendoj se ata nuk e kuptojnë ende xhudon time. Shpresoj të jem me juniorë e seniorë”, ka thënë Kelmendi në intervistë për EJU.

Kelmendi thotë se Kosova ka talente që mund të fitojnë në të ardhmen medalje botërore apo ede olimpike. Porse duhet të punojnë në mentalitet.

“Problemi është mënyra e stërvitjes së tyre, nuk është njëjtë si me seniorë. Vijnë në stërvitje e nuk japin maksimumin. Por mendoj se nëse do të bëhesh kampion botëror apo olimpik, duhet gjithmonë të japësh më të mirën. Është e vështirë, të dhemb trupi nganjëherë e ke të vështirë të ngrihesh nga shtrati, por duhet të bësh, duhet të shkosh në stërvitje”, ka thënë Kelmendi. “Kemi kadetë të mirë e juniorë. Problemi është se Toni nuk ka pasur shumë kohë të kujdeset për ta. Ka qenë gjithmonë me seniorë duke udhëtuar e stërvitur”, ka thënë Kelmendi.

Kelmendi sërish ka falënderuar trajnerin Driton Kuka, duke thënë se çdo gjë që ka arritur në jetë është fal tij.

“Unë gjithmonë kam pasur kokë të fitueses. E kam këtë nga trajneri. Ai vet është kështu si person. Edhe nëse luan futboll apo sport tjetër është i tillë. E mbaj mend kur isha 13-14 vjet e fillova të garoja si juniore e nganjëherë seniore, para çdo lufte më thoshte ajo kundërshtare nuk është asgjë. Shikoja i ka duart si modele, t’i je shumë më e fortë. E unë në kokën time isha si luaneshë. Nëse nuk mund ta hidhja, atëherë duhej ta godisja, apo të gjeja mënyrë për të arritur te fitorja. Këtë e mora nga ai. Unë si fëmijë e dija se çfarë dua. Por nuk isha aq e fortë mentalisht. Si fëmijë isha e ndrojtur nuk dilja shumë, por kur nisa me xhudo, çdo gjë ndryshoi. Ai ndryshoi jetën time. Çfarë jam sot them se jam gjithmonë fal tij, si sportiste e si person”, ka thënë Kelmendi.