Mahrez: Lojtarët e PSG-së u çmendën, filluan të na shkelmojnë

Ylli i Manchester City, Riyad Mahrez, i ka kritikuar lojtarët e Paris Saint-Germain se nuk luajtën ndershëm në humbjen 2:0 në Ligën e Kampionëve, duke thënë se “atyre iu acaruan nervat aq shumë saqë filluan të na shkelmojnë”.

Mahrez i shënoi të dy golat e fitores në ndeshjen e kthimit gjysmëfinale në Etihad të martën, duke i ndihmuar City ta mposhtë PSG-në me rezultat të përgjithshëm 4:1.

Kontributi i madh i Mahrezit në të dy ndeshjet gjysmëfinale i ndihmoi City-t ta arrijë finalen e parë në historinë e klubit.

Me kalimin e kohës në Etihad, lojtarët e PSG-së filluan të acarohen dhe bënë një varg ndërhyrjes së ashpra.

Angel Di Maria u përjashtua direkt me karton të kuq pasi e shkelmoi Fernandinhon.

Duke folur pas ndeshjes, Mahrez tha: “Ishte një ndeshje e mirë. Nuk e filluam mirë përsëri, nuk luajtëm mirë në pjesën e parë por e shënuam golin dhe pastaj u ndjemë më rehat”, tha Mahrez për BR Sport.

“Në pjesën e dytë luajtëm mirë dhe kemi mundur të shënonim më shumë. Atyre iu acaruan nervat dhe filluan të na shkelmonin, por pas kartoni të kuq ishim më rehat”, shtoi ai.