Mahrez ia dedikon golin ndaj Tottenhamit presidentit të ndjerë të Leicesterit

Golin e shënuar ndaj Tottenahmit në fitoren 0-1 të Manchester Cityt, Riyad Mahrez ia ka dedikuar presidentit të ndjerë të Leicesterit, Vichai Srivaddhanaprabha.

Mahrez ngriti duart lart drejt qiellit pas asistimit të Sterling, teksa goli i algjerianit erdhi pas vetëm 24 orëve që klubi i Leicesterit konfirmoi se Srivaddhanaprabha ishte në mesin e 5 personave që humbën jetë pas përplasjes së helikopterit afër stadiumit “King Power”.

Lojtari më i mirë në sezonin 2015-2016, Riyad Mahrez e ka pasur të vështirë të flejë në dy netët e fundit.

“Ka qenë e vështirë. Presidenti ishte shumë i veçantë për mua. Kam kaluar 4 vite e gjysmë atje duke grumbulluar shumë kujtime me të. Ai ka qenë një person shumë i mirë, për këtë arsye kur shënova i ngrita duart drejt qiellit. Ai ka bërë shumë për mua dhe Leicesterin. Është situatë e vështirë, unë iu qëndroj afër familjeve të viktimave dhe gjithë klubit të Leicesterit”, deklaroi Mahrez.

27 vjeçari tutje shtoi se Srivaddhanaprabha ishte shumë i apasionuar pas futbollit derisa tha se luajti të hënën në mbrëmje sepse e dinte se ish presidenti do t’i kërkonte të luante.