Mahrez dërgon Cityn në finalen e madhe

Riyad Mahrez ka udhëhequr Manchester Cityn drejt finales së parë në Ligën e Kampionëve. Gjiganti anglez ka eliminuar në gjysmëfinale kampionin e Francës, Paris Saint-Germain. Pas fitores 2:1 në “Parc de Princes” javën e kaluar, Manchester City ka siguruar kalimin në finale me një tjetër fitore.

2:0 në të mirë të Cityt ishte rezultati i takimit të luajtur të martën mbrëma në Manchester. Fitorja dhe kualifikimi i Cityt nuk është rrrezikuar asnjëherë nga Parisi që në mungesë të Kylian Mbappes së lënduar nuk e kishte rrezikshmërinë e zakonshme.

Vendimtar ishte algjeriani Mahrez që kishte shënuar golin e fitores edhe në ndeshjen e parë. Mahrez të martën shënoi të dy golat.

Një top i gjatë i portierit Ederson solli aksionin për golin e parë të Cityt. Ederson gjeti në fushën kundërshtare lojtarin e krahut, Oleksandr Zinchenko. Ai gjeti në zonë Kevin De Bruynen, por goditja e tij u bllokua. Prej topit të dëbuar përfitoi Mahrez që shtyu topin në rrjetë. Ndodhi kjo në minutën e 11-të.

Më pas anglezët kanë kontrolluar lojën, ndonëse parisienët kanë bërë përpjekje për të barazuar shifrat.

Golin e dytë dhe të goditjes përfundimtare ndaj Parisit, Mahrez e shënoi në minutën e 63-të. Pas një kundërsulmi të shpejtë, Mahrez, i rritur në afërsi të Parisit, shënoi nga afërsia. Për golin e dytë asistoi Phil Foden.

Parisi vjet luajti në finale, ndërsa këtë herë ndalet në gjysmëfinale. Ndërkohë Manchester City do të luaj për herë të parë në finale të Championsit. Një finale evropiane e kishte luajtur para 51 vjetësh.

PSG-ja prej minutës së 69-të luajti me një lojtar më pak në fushë. Angel Di Maria u përjashtua për sjellje jo sportive, përkatësisht për goditje ndaj rivalit kundërshtar. Lojtarët e Parisit janë shfaqur shumë të nervozuar gjatë ndeshjes.

City ka fituar shtatë ndeshjet e fundit në Champions. Është seria më e gjatë e ndonjë ekipi anglez në Champions apo në garën që i parapriu Championsit. Po ashtu City është ekipi i parë që ka 11 fitore në një edicion të vetëm të Ligës së Kampionëve apo Kupës Evropiane.

Finalja e Ligës së Kampionëve luhet më 29 maj në “Ataturk Stadium” në Stamboll. City do të jetë përballë Chelseat apo Real Madridit.