Cristiano Ronaldo

Zbulohet ‘mesazhi kërcënues’ që Ronaldo i kishte bërë Rangnickut

Mesazhi kërcënues i Cristiano Ronaldos në drejtim të Ralf Rangnick gjatë kohës kur dyshja punonin së bashku tek Manchester United është zbuluar.

Në gusht të vitit 2021, Ronaldo kishte vendosur që të largohej nga Juventusi për të bërë një rikthim sensacional tek Unitedi, të cilët atë kohë udhëhiqeshin nga Ole Gunnar Solskjaer.

Gjatë periudhës së tij të dytë tek klubi anglez, Ronaldo ishte autor i 27 golave të shënuar në 54 ndeshje të luajtura në të gjitha garat.

Sidoqoftë, gjatë kësaj kohe, Solskjaer eventualisht u largua shkaku i rezultateve të dobëta dhe u zëvendësua përkohësisht nga Ralf Rangnick.

Tani është raportuar se Ronaldo dhe Rangnick kishin një përleshje sa i përket minutave që portugezi i ka pasur në dispozicion.

Siç është raportuar nga Bild, pesë herë fituesi i Topit të Artë i ka thënë Rangnickut se ai do të luajë katër nga pesë ndeshje, dhe në atë ndeshje që nuk do të luante, nuk do të ishte në dispozicion as nga stoli.

Është lënë të kuptohet se portugezi i ka thënë gjithashtu Rangnickut se ai do të vendoste se në cilën ndeshje nuk do të luante, por ka insistuar në të njëjtën kohë se ndeshjen do ta shikonte nga shtëpia dhe jo nga banka rezervë.

Eventualisht, Rangnick u zëvendësua më pas nga Erik ten Hag, i cili ishte personi kryesor pse Ronaldo u largua nga ‘Djajtë e Kuq’ në nëntor të vitit 2022.