Madhështia e Kante, nuk ka pranuar pagat offshore

Futbollisti i Chelseat nuk ka dashur telashe me ligjin.

I jashtëzakonshëm në fushë dhe një njeri i mrekullueshëm jashtë saj.

N’golo Kante është vënë në një pozicion të vështirë nga një sjellje e pazakontë në botën e futbollit. Sipas një zbulimi të fundit nga Football Leaks, futbollisti kampion bote me Francën ka refuzuar që një pjesë të pagës së tij dhe të ardhurat që vinin nga e drejta e imazhit t’i merrte në një llogari bankare offshore pranë ishullit Jersey.

Gjashtë muaj para se Kante të braktiste Leicester Cityn në vitin 2016, një kompani e quajtur NK Promotions u regjistrua në Jersey, ku do të paguheshin 10% të të ardhurave të lojtarit për të shmangur taksat. Fillimisht, avokati i tij kishte dhënë aprovimin për krijimin e kësaj kompanie, por vitin e kaluar Kante mësohet se ka insistuar për të refuzuar çdo pagesë offshore. “N’Golo nuk pranon, dëshiron një pagë normale”, shkruante një konsulent fiskal në një email të majit të vitit 2017 për drejtuesit e Chelseat. “Ka lexuar artikuj të shumtë për të drejtat e imazhit dhe për hetimet që kanë nisur ndaj lojtarëve dhe klubeve të ndryshme. N’Golo është i shqetësuar se mund të hetohet nga autoritetet. N’Golo ka vendosur të mos marrë asnjë rrezik përsipër”, thuhet ndër të tjera në email. Derisa shumë futbollistë të njohur janë zënë duke shmangur taksat, Kante nuk do të ketë probleme me ligjin, pasi të gjitha taksat ai i paguan me rregull.