Aktualisht janë duke vazhduar bisedimet e fshehta ndërmjet presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi dhe atij të Serbisë, Aleksandar Vuçiq për korrigjimit e kufirit, thotë Boshko Obradoviq.
Lideri i partisë Dveri, Boshko Obradoviq ka thënë se sipas vlerësimit të tij, do të ketë njohje të pavarësisë së Kosovës.
Obradoviq, në konferencë të jashtëzakonshme për gazetarë në Çaçak, ka thënë se arsyeja kryesore e vizitës së presidentit francez, Emanuel Macron në Serbi më 5 dhe 6 dhjetor janë bisedimet me Vuçiqin për korrigjim të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, transmeton Ballkani.info.
“Ideja amerikane për demarkim ndërmjet Serbisë dhe Kosovës në këto momente ka ardhur në fazën e fundit dhe Franca në emër të Evropës dhe Bashkimit Evropian e ka marrë këtë ide që ta çojë deri në fund. Në emër të presidentit francez bisedimet ndërmjet Thaçit dhe Vuçiqit po i drejton një person i afërt me presidentit francez, europarlamentari dhe ish lobisti i NATO-s, Arno Danzhan”, ka thënë ai.
Ai ka theksuar se presidenti francez në Beograd me Vuçiqin do të bisedojë për fazën përfundimtare të korrigjimit të kufirit ndërmjet Serbisë dhe Kosovës, për të cilat, sipas Obradoviqit, problem paraqet vetëm liqeni i Gazivodës, ndërsa të tjerat tashmë janë kryer.
Obradoviq ka pyetur se pse Vuçiqi nuk del në publik dhe të tregojë se për çfarë do të flas me presidentin francez prapa dyerve të mbyllura dhe pse ende nuk është caktuar mbledhja e jashtëzakonshme e Kuvendit të Serbisë për Kosovën. /Ballkani.info/







