Presidenti francez, Emmanuel Macron, njoftoi në X se kishte folur me presidentin iranian Masoud Pezeshkian dhe i kishte përcjellë atij një sërë kërkesash, nga siguria e qytetarëve francezë deri te ndalimi i sulmeve në rajon dhe situata në Ngushticën e Hormuzit.
Macron tha se “prioriteti absolut” për Francën është siguria dhe kthimi në Francë i Cécile Kohler dhe Jacques Paris, të cilët, siç deklaroi ai, ndodhen aktualisht në ambasadën franceze, transmeton Ballkani.info.
Në njoftim, ai theksoi gjithashtu se Irani “duhet të ndalojë menjëherë” sulmet ndaj vendeve në rajon. Në të njëjtën kohë, ai kërkoi që Teherani të garantojë lirinë e lundrimit duke i dhënë fund, siç shkroi ai, “mbylljes de facto” të Ngushticës së Hormuzit.
“Aktivitete destabilizuese”
Macron shtoi se Franca mbetet “thellësisht e shqetësuar” për zhvillimin e programeve bërthamore dhe balistike të Iranit, por edhe për ato që ai i quajti “aktivitete destabilizuese” të Iranit në rajon, të cilat ai tha se ishin në rrënjë të krizës aktuale.
“Një zgjidhje diplomatike është më e nevojshme se kurrë” për t’iu përgjigjur këtyre sfidave, për të ndaluar përshkallëzimin dhe për të ruajtur paqen, tha Macron, duke shtuar se ai dhe Pezeshkian kishin rënë dakord të qëndronin në kontakt. /Ballkani.info/







