LVV i pastroi të gjithë zyrtarët që i shkuan nga partitë tjera, Kicën e linçuan pamëshirshëm

Të amnistuar nga pakoja e linçimeve, sharjeve e fyerjeve, janë vetëm politikanët që ndërrojnë partitë, për të shkuar në Lëvizjen Vetëvendosje. Të tjerët i nënshtrohen fushatës kundër, si Doarsa Kica, që e la shumicën, për të dalë në LDK. Megjithatë, grupi parlamentar i LVV-së, që ka përbërje të llojllojtë ideologjike, është i pasur me ish zyrtarë të partive të tjera. Më poshtë renditen së paku 13 deputetë të tanishëm të LVV-së, që më parë kanë qenë në partive, që Vetëvendosje i përmbledh me termin “PLAN”.

Anëtarët dhe militantët e Lëvizjes Vetëvendosje ‘dekriminalizojnë’ lëvizjet nga një parti në tjetrën, vetëm kur dikush zgjedh bëhet pjesë e LVV-së. Ata nuk e zbatuan këtë standard, kur deputetja e grupit parlamentar të LVV-së, si pjesë e Listës ‘Guxo’, Doarsa Kica – Xhelili kaloi në PDK. Ajo u bë tabelë qitjeje, që nga momenti që u raportua se po kalon nga VV-ja, në opozitë.

Por, përgjatë rrugës, duke u rritur, Lëvizja ka hapur krahët dhe ka pranuar nga majtas e djathtas anëtarë. Ka pranuar pa filtër shumë prej ish-zyrtarëve të partive të tjera, të cilët i ka akuzuar e kritikuar veçmas ata dhe subjektet e tyre.

Listën me ndërrimin dhe bashkëpunimin me parti të tjera e kryeson Mimoza Kusari, që, ironikisht ka qëlluar të jetë edhe shefe e Grupit Parlamentar të VV-së. Ajo ka qenë pjesë, ose ka bashkëpunuar, me pothuajse secilin subjekt politik me peshë ose lider politik, në Kosovë. Fillimisht zëdhënëse e Qeverisë së Hashim Thacit, pas disa vitesh ministre në Qeverinë e tij, si zyrtare e lartë e AKR-së. Më vonë, koalicion me LDK-në e së fundmi, me VV-në. Këto janë disa nga lëvizjet e politikanes liberale, që krejt në fund gjeti vetën në Lëvizjen e majtë të Kurtit.

E kaluara e saj është e harruar për VV-në dhe tani ajo është shefe e grupit parlamentar të VV-së – më të madhin që kjo parti e ka pasur ndonjëherë.

Aderimi i Adelina Graincës në Lëvizjen Vetëvendosje ishte spektakolar. Deputetja, që fushatën e bëri si pjesë e PDK-së, u shfaq krah Albin Kurtit në Kuvend, ditën kur po votohej për zgjedhjen e Presidentes.

Kurti sfiloi nëpër sallën e Kuvendit, për të prezantuar gjahun e tij nga Grupi Parlamentar i PDK-së. Me këtë rast, u lustrua edhe emri i deputetes Grainca, e cila më nuk shahej e ofendohej nga pjesëtarët dhe militantët e VV-së si anëtare e PDK-së.

Armend Muja, zyrtarisht nuk ka qenë pjesë e ndonjë partie, por, ishte prej të zëshmëve kundër Lëvizjes Vetëvendosje. Në një postim jo shumë të moçëm të tij, Muja e shihte VV-në si një e keqe që i ka ndodhur Kosovës.

Për këto, ai u amnistua me anëtarësim në partinë e Kurtit dhe tani është prej deputetëve më të zëshëm të VV-së.

“E shoh të papranueshme që për 20 vjet ne mos të prodhojmë një alternativë të re të mendimit. Për shembull, strumbullari i opozitës për momentin e shohim Vetëvendosjen, por për mendimin tim mënyrën qysh qëndron Vetëvendosje në aspektin politik është në vitet 90-ta, kurse në aspektin ekonomik është në vitet e 30-ta, nuk mundesh me shërby alternativë në një kohë moderne”, kishte deklaruar Muja kur VV ishte në opozitë.

Burim Meta, i njohur më parë si Burim Karameta, ishte anëtar e LDK-së, i cili u largua nga partia me grupin e Vjosa Osmanit.

Fatmir Humolli ka shfaqur mospajtimet me grupin parlamentar të VV-së, që në vitin e parë të mandatit si deputet i saj. Ai edhe ka kërcënuar me largim nga VV-ja, për shkak të qasjes që ai besoj që partia e ka ndaj veteranëve të luftës.

Humolli i është bashkuar së voni partisë së Kurtit. Më herët, ai ka qenë pjesë e AAK-së, e kjo përshkruhet në biografinë e tij të publikuar në faqen zyrtare të VV-së.

“Në vitin 2007, z. Humolli dha dorëheqje nga LKÇK. Në vitin 2013 iu bashkua AAK-së duke dashur të kontribuojë në fuqizimin e vijës kombëtare brenda Aleancës. Ndërsa në vitin 2018, pas pranimit te Demarkacionit nga AAK-ja, ai dha dorëheqje nga kjo parti”, thuhet në biografinë e deputetit.

VV-ja, duke e renditur në top pesëshe në listën e fundit zgjedhore, tregoi se e ka të rëndësishëm Gani Krasniqin, ish pjesëtar i Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës.

Krasniqi ka qenë disa vjet pas luftës kryetar i Malishevës dhe pjesë e PDK-së.

Haxhi Avdyli, që tash është pjesë e grupit parlamentar të VV-së përmes Listës “Guxo”, ka qenë zyrtar i LDK-së. Ai u nda nga partia me grupin e presidentes Osmani.

Deputeti Hydajet Hyseni, që është edhe kryesues i Këshillit të Përgjithshëm të VV-së, ka qenë njëherë pjesë e LDK-së e më pas zyrtar i lartë i PDK-së, deri në vitin 2014.

Hyseni, tash zyrtar i lartë i VV-së ishte pjesë e shumë proceseve, të cilat i ka mohuar e kundërshtuar Kurti me parti. Ai ka qenë anëtar i delegacionit në konferencën e Rambujesë, anëtar i Qeverisë së përkohshme dhe poashtu, deputet i disa legjislaturave që prej vitit 2000.

Kur Kurti e prezantoi shkencëtarin Jahja Koka, pati raportime të mediave e reagime se ai ka qenë më parë pjesë e partisë së Behgjet Pacollit. Këtë e kanë thënë edhe disa zyrtarë e ish-zyrtarë të AKR-së, të cilët e akuzonin Kokan për “zhvatje”.

Koka u bë pjesë e VV-së pak para zgjedhjeve të vitit 2019.

Valon Ramadani, deputet me dy mandate radhazi si pjesë e Lëvizjes Vetëvendosje, ka qenë pjesë e partisë Nisma të Fatmir Limajt. Në vitin 2015 u pat zgjedhur kryetar i degës së këtij subjekti në Ferizaj.

Mirsad Shkreta, stomatologu i VV-së, i cili u komentua shumë pas vjedhjes së 50 mijë eurove në shtëpinë e tij, nuk e ka pasur Vetëvendosjen partinë e parë të tij.

Shkreta ishte këshilltar nga radhët e PDK-së në asamblenë komunale të Hanit të Elezit dhe ka udhëhequr grupin e asamblistëve të partisë së Hashim Thacit atëherë në këtë komunë. Në vitin 2014, ai kaloi nga PDK-ja në VV.

Nënkryetarja e VV-së, Fatmire Kollacaku, përveç mandateve të fituara legjislaturave të fundit si pjesë e Vetëvendosjes, ka qenë edhe deputete edhe gjatë viteve 2003-2007, si pjesë e Partisë Reformiste ORA. Më pas ajo i ishte bashkuar AAK-së së Ramush Haradinajt. Kur u bë pjesë e VV-së, thoshte se partia e Kurtit i ka bërë edhe më moti ofertë, pasi i kishte dëgjuar “idetë e saj”.

Labinotë Demi – Murtezi ishte deputete e Partisë së Drejtësisë, që hyri në Kuvend përmes listës zgjedhore të koalicionit me PDK-në.

Pas këtij mandati, ajo i ishte bashkuar AKR-së, që në zgjedhjet e 2017-s, kishte hyrë në koalicion parazgjedhor me LDK-në.

Ka edhe zyrtarë të tjerë të lartë të VV-së, që karrierën e tyre politike nuk e kanë nisur në Vetëvendosje, ose nuk kane qenë aq konsistentë në rrugën e tyre politike, në standardin që kjo parti e kërkon te të tjerët.

Shpejtim Bulliqi, kryetar i Podujevës nga radhët e VV-së ka qenë për shumë vjet funksionar i LDK-së dhe me një detyrë në qeverisjen e Ramush Haradinajt.

Zëvendësi i Kurtit dhe njëriu më i afërt i tij në Qeveri, Besnik Bislimi, është përfolur për bashkëpunim të mëhershëm me AKR-në e Behgjet Pacollit. Kjo parti pati deklaruar se Bislimin e kishin angazhuar për shkrimin e planprogramit në gjuhën angleze dhe ishte paguar për këtë punë.

Lëvizja Vetëvendosje, me Graincën që mori mandatin si kandidate e PDK-së, kishte 59 deputetë. Tani që zyrtarisht është larguar Kica – Xhelili, VV mbetet me 58 deputetë.

Kalimin zyrtar të deputetes Kica -Xhelili në LDK e bëri të ditur sot kryetari i partisë, Lumir Abdixhiku.