Lutfi Haziri kritikon inspektoratet qendrore që kanë dënuar lokale për shkelje të masave anti-COVID

Kryetari i Gjilanit, Lutfi Haziri, ka kërkuar nga inspektoratet në nivel qendror që të mos ndërhyjnë në kompetencat e komunave. E gjitha kjo pas mbylljes së disa lokaleve në Gjilan, pasi nuk kishin zbatuar masat anti-COVID.

Por, Haziri tashmë po i bën konkurrencë masave, duke i lejuar t’i hapin ato lokale përsëri me lejen e tij si kryetar.

“Task forca e ashtuquajtur e qeverisë në kuadër të pandemisë anti-COVID mbrëmë ka ndërhyrë në disa bizneset dhe aktivitetet ekonomike në komunën e Gjilanit duke e ndaluar veprimtarinë për shkak të mos zbatimit të masave të IKSHP-së që në fakt është ndërhyrë në punët e komunës sepse unë udhëheqë me emergjencat civile kundër COVID-19 në Gjilan. Ju lutem mos ndërhyni”, ka thënë Haziri.

“Inspeksioni komunal në afat sa më të shkurtë do të lejojë normalizimin e aktiviteteve dhe veprimtarive dhe bëjmë thirrje që të mos ndërhyjnë task forca në kompetencat e komunës, pa koordinim me neve, pa koordinim me inspekcionin komunal”, shtoi ai.

Po ashtu, Haziri ka theksuar se dënimet janë të përballueshme për operatorët dhe bizneset e vogla në Gjilan.