Lushtaku godet ministren Gërvalla pas deklaratave për UÇK-në: Kjo veç e Jusuf Gërvallës nuk mund të jetë

Zyrtari i PDK-së, Sami Lushtaku ka folur rreth deklaratave të ministers së Punëve të Jashtme, Donika Gërvalla e cila para disa vitesh kishte thënë se do të ndihmonte me materiale sapo të formohej Gjykata Speciale kundër, siç thoshte ajo, “kokave të organizatës kriminale Hashim Thaçi dhe Kadri Veseli”.

Lushtaku në Pressing të T7 ka thënë se nuk e di e kujt është Donika Gërvalla duke thënë se ajo vetëm e Jusuf Gërvallës nuk mund të jetë.

Ai shtoi se ministrja është totalisht e painformuar dhe se deklaratat e saj për UÇK-në janë një gabim i madh.

“Unë nuk e di kjo e kujt është, kjo veç e Jusuf Gërvallës nuk mund të jetë. Është mendim i jemi, kam të drejtë me jap mendim. Nuk e besoj që vajza e një patrioti, nëse është e tij, me dalë e me shpif dhe me folë gjëra që vërtetë janë tepër të rënda për vendin. Ata që flasin për UÇK-në flasin për Kosovën”, tha Lushtaku.

Tutje ai shtoi se askush nuk ka të drejtë ta drejtojë gishtin të pjestarët e UÇK-së për vrasjet e pasluftës.

“Jusuf Gërvalla ka qenë ikonë e jona. Zonja Gërvalla është totalisht e painformuar, apo dëshiron me qenë e painformuar. Janë gabim i madh deklaratat e saj për UÇK-në, nëse dikush ka bërë krime në këtë vend ka bërë Serbia. Nëse ka argumente, le të faktohen cili është ai që ka bërë krime në këtë vend. Por ne e kemi harru krejt Serbinë. Është e padrejtë që dikush ta drejtojë gishtin të pjestarët e UÇK për vrasjet e pasluftës”,tha Lushtaku.