Kandidati për kryeministër nga Lidhja Demokratike e Kosovës, Lumir Abdixhiku ka vizituar sot stërvitjet e KF Prishtina, duke theksuar rëndësinë që sporti dhe futbolli kanë për rininë dhe shoqërinë kosovare.

Përmes një postimi, Abdixhiku u shpreh se futbolli nuk është vetëm lojë, por një shkollë karakteri, disipline dhe sakrifice për të rinjtë.

“Sporti dhe futbolli janë shumë më tepër se lojë. Janë disiplinë, karakter, sakrificë e shpirt gare. Janë vendi ku të rinjtë mësojnë të besojnë tek vetja, tek ekipi dhe tek qyteti që përfaqësojnë”, ka deklaruar ai.

Abdixhiku ka kërkuar më shumë investime konkrete në infrastrukturën sportive në Kosovë, duke përmendur nevojën për fusha sportive, stadiume funksionale, akademi moderne dhe kushte më të mira për klubet dhe sportistët.

Sipas tij, mbështetja ndaj sportit është investim direkt në shëndetin, edukimin dhe të ardhmen e të rinjve.

“Kur një i ri hyn në fushë sportive, ai shndërrohet në aset. Kur një klub mbështetet, një qytet merr frymë më ndryshe. E kur sporti ngritet, ngrihet edhe vetë shoqëria jonë”, ka përfunduar Abdixhiku.