Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka dhënë mesazhin e tij përmbyllës para zgjedhjeve lokale të 12 tetorit, duke shprehur besimin e plotë në fitoren e LDK-së në kryeqytet. Ky mesazh vjen pas debatit që u mbajt sonte ndërmjet Ramës, Ismailit dhe Cekut.

Në një postim në rrjete sociale, Abdixhiku u ka bërë thirrje qytetarëve të bashkohen në tubimin e madh përmbyllës të fushatës së Prishtinës, që do të mbahet të premten, më 10 tetor, në ora 18:00, në AMC Hall.

Ai ka shkruar: “Le të fitojmë! ✌️ Sikurse sonte, edhe më 12 tetor. Prishtina e ka kryetarin! Ejani nesër, të premten, në festën e madhe tonën; tubimin e mbylljes së fushatës së Prishtinës, nga ora 18:00 në AMC Hall.”

Ky tubim pritet të shënojë përmbylljen e fushatës zgjedhore të LDK-së në kryeqytet, me pjesëmarrje të gjerë të qytetarëve, strukturave të partisë dhe përfaqësuesve të lartë të saj.

Abdixhiku ka theksuar se entuziazmi dhe mobilizimi i qytetarëve të Prishtinës dëshmon se LDK është në rrugën e fitores, duke e mbyllur fushatën me mesazhin optimist: “Prishtina e ka kryetarin!”