Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës (LDK), Lumir Abdixhiku, ka reaguar publikisht ndaj deklarimeve të nënkryetares së partisë, Hykmete Bajrami, duke theksuar se ka ofruar dorëheqjen e tij si akt moral dhe se vendimi përfundimtar i takon Kuvendit të LDK-së.
Në një postim, Abdixhiku ka bërë të ditur se brenda strukturave të partisë është zhvilluar një debat i gjatë, rreth pesë orë e gjysmë, ku janë dëgjuar me vëmendje të gjitha kritikat, shqetësimet dhe mendimet. Sipas tij, qëndrimi i shprehur publikisht nuk është mendim individual, por reflektim i shumicës dërrmuese të pjesëmarrësve në diskutim.
“Më shumë se dorëheqja nuk ka çfarë të ofrojë një politikan,” ka shkruar Abdixhiku, duke shtuar se me këtë veprim ka hapur rrugën për këdo që ka pretendime për udhëheqjen e partisë. Ai ka theksuar se nuk është i lidhur pas pozitës, por pas LDK-së si institucion.
Abdixhiku ka nënvizuar se vendimet për lidershipin dhe proceset e brendshme nuk duhet të merren nën presion emocionesh, reagimesh të çastit apo rrjeteve sociale, por përmes mekanizmave statutare të partisë. Në këtë kontekst, ai ka bërë thirrje për pritjen e Kuvendit të LDK-së, ku, sipas tij, debati duhet të zhvillohet hapur dhe me dinjitet.
“Eliminimet politike mund të jenë legjitime si aspiratë, por për to vendos anëtarësia si tërësi, jo individët,” ka theksuar ai, duke shtuar se çdo vendim i Kuvendit do të respektohet prej tij “me nder dhe qetësi”.
Në fund të reagimit, Abdixhiku ka bërë thirrje për unitet dhe përgjegjësi brenda partisë, duke ritheksuar se mbi çdo emër individual qëndron LDK-ja si institucion.
Reagimi i Abdixhikut vjen në vazhdën e përplasjeve të brendshme në LDK pas zhvillimeve të fundit politike dhe deklaratave kritike nga zyrtarë të lartë të partisë, përfshirë Hykmete Bajramin.







