Sulmuesi belg

Lukaku mungon në seancën e sotme stërvitore te Manchester United

Manchester United pritet të jetë pa sulmuesin Romelu Lukaku në ndeshjen e nesërme ndaj Juventusit në Champions League, teksa belgu nuk ka marrë pjesë në seancën stërvitore të sotme te “Djajtë e Kuq”.

United udhëton në Torino për t’u përballur me “Bianconerët”, ndërsa ishte mposhtur 0-1 në ndeshjen e parë në “Old Trafford”.

Lukaku ishte startues në atë takim, por mbeti në bankën rezervë në ndeshjen pasuese kundër ish skuadrës së tij, Evertonit. Kurse në fitoren e fundjavës së kaluar përballë Bournemouthit, 25 vjeçari nuk ishte me skuadrën shkaku i problemeve fizike.

Sulmuesi i kombëtares së Belgjikës që nuk ka shënuar gol për Unitedin që nga mesi i muajt shtator nuk ia ka dalur të riaftësohet nga lëndimi në muskuj në prag të ballafaqimit me Juventusin.

Në mungesë të tij, Mourinho mund ta konfirmojë Marcus Rashfordin në qendër të sulmit, me Sanchez dhe Martial që gjithashtu janë alternativa tjera për atë pozitë.

Në anën tjetër edhe “Zonja e Vjetër” ka probleme me lëndime, derisa në dyshim është prezenca e Mario Mandzukic, Giorgio Chiellinit, Douglas Costas, Blaise Matuidit dhe Federico Bernadeschit.