Sulmuesi belg

Lukaku i vendosur të largohet nga Manchester Unitedi

Qendërsulmuesi Romelu Lukaku e ka konfirmuar dëshirën e tij për t’u larguar nga Manchester Unitedi këtë verë, përkundër kërkesës së trajnerit Ole Gunnar Solskjaer që të qëndrojë dhe të luftojë për një vend në ekipin e parë.

Burimet i kanë thënë rrjetit televiziv sportiv, ESPN, se sulmuesi dëshiron të largohet nga “Teatri i Ëndrrave” gjatë këtij afati kalimtar, për t’u bashkuar me Antonio Conten te Interi.

Solskjaer i ka thënë Lukakut, i cili është bashkë me skuadrën e Manchester Unitedit në Australi për turneun parasezonal, se ai është pjesë e planeve për sezonin e ardhshëm, por belgu insiston të largohet, nëse dy klubet arrijnë marrëveshje.

Manchester Unitedi do të përballet pikërisht me Interin më 20 korrik në Singapor, për një ndeshje miqësore të turneut parasezonal, në kuadër të përgatitjeve për sezonin e ardhshëm, 2019/20.

Lukaku frikësohet se ai ka mbetur prapa Marcus Rashford në listën për pozitën e qendërsulmuesit në formacionin e parë të “Djajve të kuq”.

Manchester Unitedi nuk po kërkon ta shesë 26-vjeçarin, i cili i ka shënuar 42 gola në 96 ndeshjet e tij që kur u transferua nga Evertoni në vitin 2017. Për ta lejuar atë të largohet, klubi anglez pret ofertë prej 80 milionë funteve.

ESPN ka mësuar se çfarëdo ofertë nën këtë shumë, pa marrë parasysh a ofrohen edhe futbollistë të tjerë të Interit si pjesë e marrëveshjes, do të refuzohen nga Manchester Unitedi.